Gjermania rivendos kontrollin në kufi për të përballuar fluksin e klandestinëve

432
Gjermania ka rivendosur kontrollin e kufinjve si një masë ekstreme për të përballuar fluksin e klandestinëve nga lindja e Mesme dhe azilkërkuesve nga Ballkani. Në një konferencë të posacme për shtyp në Berlin, ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière njoftoi se Gjermania do të përforcojë përkohësisht masat e kontrollit në kufinj me synim kontrollin e fluksit të klandestinëve.

Masa parashikon që cdo emigrant nga vendet e Ballkanit Perëndimor apo cdo vend tjetër që nuk është në luftë do të ndalohet dhe do të kthehet mbrapsht që në kufi. Kjo do të thotë se Gjermania i ka mbyllur derën plotësisht cdo personi që do ti drejtohet me kërkesën e azilit ekonomik. Më herët në orën 17: 00 Autoritetet gjermane vendosën ndalimin qarkullimit me trena me Austrinë po për shkak të fluksit të klandestinëve. Ndërkohë, policia austriake gjeti 42 emigrantë, mes të cilëve 5 gra dhe 8 fëmijë, të fshehur në një kamion fregorifer në një autostradë në afërsi me kufirin gjerman. Dy drejtuesit e mjetit u arrestuan. Sakaq kaosi ka përfshirë qytetin e Munihut, ku vetëm të shtunën mbërritën 13,000 emigrantë. Akomodimi i të gjithë refugjatëve është bërë i pamundur, ndaj shumë prej tyre kanë zgjedhur rrugën dhe stacionet e trenit për të fjetur.
Sigal