Gjermania kundërshton vendimin e Trump për refugjatët

81
Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka kundërshtuar hapur vendimet e presidentit amerikan për ndalimin e futjes në SHBA të refugjatëve. Ajo i kujton Trumpit konventat dhe të drejtën humanitare. Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar të premten një dekret me të cilin ndalohet për 90 ditë hyrja në SHBA e shtetasve të Sirisë, Iranit, Irakut, Sudanit, Somalisë, Libisë dhe Jemenit. Ndërsa hyrja në vend e refugjatëve nga mbarë bota ndalohet për 120 ditë. Për refugjatët nga Siria është vendosur madje një ndalim i futjes në SHBA për një kohë të pacaktuar. Kancelarja Merkel “shpreh keqardhje” për shkak të vendimit të presidentit Donald Trump dhe këtë ia ka thënë presidentit Trump edhe në telefonatën 45-minutëshe të ditës së shtunë. Konventa e Gjenevës për refugjatë parashikon që vendet të ofrojnë ndihma humanitare për pranimin e refugjatëve të luftës.
“Të gjitha vendet nënshkruese të kësaj konvente janë të obliguara të respektojnë këtë konventë. Kancelarja gjermane ia ka shpjeguar këtë qëndrim presidentit amerikan edhe gjatë telefonatës së ditës së shtunë”, theksoi zëdhënësi i kancelares.
Qeveria gjermane do të “shikojë se cilat janë pasojat e vendimit të presidentit amerikan për personat me dyshtetësi dhe në raste të caktuara do të mbrojë interesat e personave të caktuar para partnerëve amerikanë”.
Pas komenteve të përmbajtura në fillim, edhe kryeministrja britanike Theresa May e ka kundërshtuar vendimin e presidentit Trump. Më parë May është kritikuar në vendin e saj për shkak të pohimit të saj gjatë qëndrimit në Ankara se SHBA e mbanë përgjegjësinë vet për politikën e saj ndaj migrantëve.