Gjermania heq ndihmën financiare për emigrantët

478
Për herë të parë që nga viti 1993 Bundestagu gjerman ndërmori ndryshime thelbësore në ligjin e azilit.
“Ne duam, që të mos shtrohen aspak kërkesa nga ata që nuk kanë perspektivë për njohjen e së drejtës së azilit”, argumentoi ministri i Brendshëm kristiandemokrat, Thomas de Maizière ndryshimet e ndërmarra në një sërë ligjesh për të drejtënn e azilit.
Paketa ligjore synon, që të shpejtohet vendimmarrja për ata që fitojnë azil dhe ata që nuk fitojnë azil.
Kush nuk ka të drejtë për azil, sipas përfytyrimit të ministrit të Brendshëm duhet të kthehet shpejt në vendin e origjinës. Kush ka të drejtë për azil, duhet të mund të integrohet më shpejt dhe më mirë.
Pikat më kryesore të ligjit janë:
Refugjatët në të ardhmen duhet të qendrojnë në strehimoret e pranimit fillestar derisa të vendoset për kërkesën e tyre.
· Kërkesat duhet të shqyrtohen shumë më shpejt.
· Federata merr përsipër një pjesë të madhe të kostove prej komunave të mbingarkuara.
· “Joshje të reme” duhet të shmangen, në mënyrë që njerëzit të mos aplikojnë për azil duke u nisur nga arsyet ekonomike. Gjatë periudhës së shqyrtimit të kërkesës së azilit ndihmat do të jenë më pak në para dhe kryesisht në natyrë – si p.sh. ushqime apo kuppona ushqimi.
· Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova do të shpallen vende të sigurta origjine.
· Në të ardhmen do të ketë dy kategori refugjatësh. Refugjatë nga vendet e treta të sigurta këtej e tutje do të kenë më pak shanse për qendrim në dallim me ata që kanë “perspektivë pranimi”. Atyre, njohja e azilit të të cilëve është e mundshme, do t’u ofrohen më shpejt kurse gjuhe dhe intergimi dhe do të lejohen më shpejt të hynë në punë. Refugatët nga vendet e treta të sigurta në të kundërt nuk do të lejohen të punojnë.
· Refugjatët e refuzuar duhet të dëbohen më shpejt.
Ndërkohë që nuk u vendos krijimi i zonave të diskutueshme “të tranzitit”. Fillimisht Ministria e Brendshme kishte planifkuar që të krijonte zona të tilla në kufi. Në bazë të këtij plani refugjatët do të duhej të qendronin në rajonin kufitar, derisa të merrej vendimi për kërkesën e tyre.
Merkel vazhdon të jetë kundër izolimit
Më parë kancelarja Angela Merkel parimisht sërish bëri thirrje për politikën e saj ndaj refugjatëve. Gjermania dhe Europa duhet të vazhdojnë t’u japin një perspektivë atyre që vërtetë kanë nevojë për mbrojtje.”Izolimi është një iluzion”, u bëri thirrje ajo deputetëve. Ajo theksoi, se në samitin europian në Bruksel do të vazhdojë të bëjë punë bindëse ndaj vendeve të tjera anëtare. “Ne nuk do të tërhiqemi”.
Nga vendet e tjera ajo kërkon kryesisht shpërndarjen e refugjatëve sipas kuotave në shtetet e BE-së. Gjithashtu në të ardhmen kufijtë e jashtëm të BE-së duhet të kontrollohen pjesërisht nga Agjencia e BE-së për Mbrojtjen Kufitare, Frontex. Deri tani kjo është detyrë e shteteve anëtare. “Europa duhet të jetë një Europë solidare”, kërkoi Merkel. “Gjithçka tjetër do të dështojë.”
Ekologjistët të pavendosur, konservatorët jo në unanimitet
Ekologjistët abstenuan me votën e tyre për ligjin e azilit. Me këtë ata deshën të bëjnë të qartë, se ndonëse i mbështesin pjesë të caktuara të ligjit, si mbështetjen më të madhe financiare të federatës për komunat, nuk janë dakord me pjesë të tjera. Grupi parlamentar i të gjelbërve është kundër detyrimit të refugjatëve që të qendrojnë në strehimoret e pranimit të emergjencës. Kryetarja e këtij grupi parlamentar Katrin Göring-Eckart u bëri thirrje deputetëve konservatorë, që të mos tërhiqen nga presioni i popullsisë. “Nëse ne bëhemi avokat i frikës, atëherë ne kemi një problem si klasë politike.”
Deputetët e unionit kristiandemokrat të Merkelit e ndjekin me sfrocim gjithnjë e më të madh politikën e saj. Ndaj ligji është edhe një lëshim kundrejt anëtarëve konservatorë të partisë, që po kërkojnë gjithnjë e më qartazi kufizimin e numrit të refugjatëve. “Në çështjen e refugjatëve vendoset edhe nëse njerëzit në Europë shpresojnë për një perspektivë për të ardhmen”, tërhoqi vëmendjen kryetari i grupit parlamentar të kristiandemokratëve Volker Kauder. Edhe socialdemokratët ishin të vendosur në aprovimin e ligjit. “Ne nga motoja ‘do t’ia dalim’ duhet të kalojmë në moton ‘ne do ta bëjmë këtë”, tha kryetari i ggrupit parlamentar të socialdemokratëve Thomas Oppermann.
Për kontrolle më të ashpra kufitare dhe për më shumë izolim kundrejt vendeve europiane fqinjë u shpreh grupi parlamentar i kristiansocialëve të Bavarisë. Ish-ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich shprehu keqardhje që nuk u miratuan “zonat e tranzitit” të parashikuara në projektligj. Ai kërkoi të rivendoset “integriteti territorial i Gjermanisë dhe i Europës”. Gjermania duhet t’i kontrollojë më mirë kufijtë e saj dhe të dërgojë “një sinjal stopi” në kufi. Kjo u kritikua nga opozita.
/Marre nga DW/
Sigal