Gjermania do të shpallë sot Shqipërinë, Kosovën e Malin i Zi vende të sigurta origjine

447
Kabineti qeveritar gjerman vendos të martën për shpalljen e tre vendeve nga Ballkani si vende të sigurta origjine: Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi do t’i shtohen listës së vendeve të tjera ballkanike si vende të sigurta.
Më pak se një javë pas samitit të Berlinit për refugjatët, kabineti qeveritar gjerman vendos të martën në Berlin për një paketë ligjore që parasheh ndryshime në politikën e azilit dhe të refugjatëve. Me këtë hap derdhet në ligj ujdia e arritur në samitin e para pak ditëve për refugjatët mes federatës dhe landeve, ku ndër të tjera u ra dakord për shpërndarjen e shpenzimeve për sfidën e refugjatëve, si edhe akomodimin dhe kujdesin shëndetësor për ta. Në këtë samit u ra në ujdi edhe për shpalljen e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si vende të sigurta origjine, gjë që do të shkojë paralelisht me shkurtimin e asistencave për këto grupe refugjatësh.
Shpalljen e tre vendeve të tjera të Ballkanit si “vende të sigurta origjine”, pra Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi, pritet ta miratojë kabineti qeveritar sot. Për qeverinë gjermane refugjatët që vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi nuk janë të përndjekur politikisht. Por për miratimin e paketës së re ligjore qeveria e Unionit CDU/CSU dhe socialdemokratëve duhet të marrë edhe miratimin e Të Gjelbërve në Këshillin Federal. Dy nga landet e bashkëqeverisura me Të Gjelbrit duhet të thonë së paku Po. Sinjalet janë që kësaj here qeveria do të marrën miratimin e Këshillit Federal për shpalljen e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si vende të sigurta origjine./Marrë nga DW/
Sigal