Gjermani/ Vdes Brunhilde Pomsel, ish-sekretarja e shefit nazist të propagandës, Gëbels

516
Ndahet nga jeta ish-sekretarja e ministrit Nazist të propagandës, Jozef Gëbels, njoftoi sot një regjisor dokumentarësh.
“Brunhilde Pomsel, një nga dëshmitaret e fundit pranë regjimit të Adolf Hitlerit, vdiq të shtunën në moshën 106-vjeçare”, sipas Christian Kroenes, i cili ka bërë në vitin 2016 dokumentarin për Pomsel të titulluar “A German Life”.
Në këtë film, Pomsel tregon vitet pas ardhjes në pushtet të Hitlerit në 1933 dhe për punën e saj në ministrinë e propagandës, duke e përshkruar si “fatin e saj”.
Pomsel filloi të punojë në zyrën private të Gëbelsit, që kontrollonte komunikimin nazist të masave në vitin 1942.
Gëbels ishte i njohur për kontrollin e fortë mbi median dhe se ishte një nga antisemitët më të frikshëm të regjimit, ndërsa Pomsel mësoi për madhësinë e tmerreve të kryera nga ish-shefi i saj dhe nazistët vetëm në fund të Luftës së Dytë Botërore.
“Të gjithë mendonin se dinin gjithçka”, thotë Pomsel në fillim të filmit.
“Ne nuk dinim asgjë”, përfundon ajo.
Sigal