Gjermani/ Merkel rizgjidhet kryetare e CDU-së: Të ndalim burkën, kudo që është e mundur ligjërisht diçka e tillë

473
Sigal

 

 

Kancelarja
gjermane, Angela Merkel ka bërë të ditur se veshja e një “perdeje” që mbulon
thuajse plotësisht fytyrën duhet të ndalohet në vend, “kudo që është e mundur
ligjërisht diçka e tillë”.




Gjatë një takimi të partisë së saj CDU, ajo doli në mbrojtje
të ndalimit të të ashtuquajturave “burka” nëpër shkolla, gjykata dhe ndërtesat
e tjera shtetërore. Megjithatë është gjerësisht e pranueshme se ndalimi total i
këtyre veshjeve do të ishte në shkelje të Kushtetutës së Gjermanisë.




Merkel u rizgjodh si kryetare e CDU-së, por përballet me
një sfidë të fortë nga partia e ekstremit të djathtë antiemigracion, “AfD”
(Alternativa për Gjermaninë), në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.




Niveli i mbështetjes së saj ka rënë që prej vendimit për të
lejuar rreth një milion azilkërkues të hynin në Gjermani gjatë vitit të kaluar,
në atë që u konsiderua si kriza më e rëndë e refugjatëve në Europë që prej
Luftës së Dytë Botërore.




Gjithsesi, kancelarja e qendrës së djathtë, e cila qëndron
në pushtet që prej vitit 2005, ruan ende një mbështetje të gjerë. Ajo është
rizgjedhur si udhëheqëse e Unionit Kristian-Demokratik të martën, me 89.5 për
qind të votave të hedhura nga 1.000 delegatët me të drejtë vote.




Merkel u shpreh gjatë kongresit të përvitshëm të CDU-së, të
mbajtur në qytetin e Essenit, se është e drejtë të presësh integrimin e të të
ardhurve së fundi. Ajo shprehu mbështetjen për një propozim, të nënvizuar në
gusht nga ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, për të nxjerrë si të
paligjshme “burkën” apo çdolloj veshjeje që mbulon thuajse tërësisht fytyrën,
veçanërisht nëpër institucionet publike.




Në kulturën gjermane, – tha ajo, – nuk është aspak e
përshtatshme që gratë të mbulojnë tërësisht fytyrat e tyre, ndaj dhe kjo lloj
veshjeje “duhet ndaluar kudo ku është ligjërisht e mundshme”.




Gjatë muajve të fundit, “Alternativa për Gjermaninë” ka
përfituar nga vala e irritimit të gjermanëve me krizën e fundit të refugjatëve,
si dhe ka korrur suksese në zgjedhjet rajonale. Sondazhet sugjerojnë se
“AfD”-ja gëzon aktualisht rreth 12% të mbështetjet kombëtare.