Gjermani – Merkel do të garojë për një mandat të katërt

424
Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të kandidojë për një mandat të katërt në krye të Gjermanisë. Lajmin e ka bërë të ditur Norbert Röttgen, një pjesëtar i partisë CDU të kancelares, gjatë një interviste për CNN.
Sigal

Deri më tani ka qenë ende e paqartë nëse ajo do të garonte sërish për postin që mban prej 11 vitesh. “Ajo do të kandidojë për Kancelare”, iu përgjigj Röttgen pyetjes së një reporteri, duke shtuar se Merkel “është totalisht e vendosur, e gatshme dhe me vullnet të plotë për të kontribuuar në forcimin e rendit liberal ndërkombëtar”.
I pyetur më pas nga një tjetër gazetar i CNN-it, nëse kancelarja dëshiron ende të ruajë “rendin liberal në zonën transatlantike”, politikani i CDU-së (Unioni Kristian-Demokratik) dhe një aleat i afërt i Merkelit, Röttgen tha se Merkel është “një gur themeli i konceptit politik të Perëndimit, teksa vepron si një aktor global”.
Gjithsesi, Röttgen paralajmëroi Perëndimin se për të pasur sukses si aktor global, “do të ishte e pamundur të mbështetej vetëm në një person”. Ai shtoi se bashkëpunimi dhe pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara është tepër e domosdoshme.
Komentet e tij nuk kanë gjetur ende konfirmimin e partisë CDU apo të qeverisë gjermane, gjithsesi.
Merkel, e cila qëndron në krye të Gjermanisë prej 11 vitesh, duhet ende të shpallë nëse do të garojë sërish për postin e Kancelares, pasi deri më tani ajo është shprehur se do ta bëjë të ditur vendimin e saj “në një kohë të përshtatshme”.
Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert shkroi në “Twitter”. “Asgjë nuk ka ndryshuar. Kancelarja do të komentojë në kohën e përshtatshme në lidhje me pyetjen nëse do të garojë për një tjetër mandat apo jo”.
Ndërkaq, korrespondenti politik i “Deutsche Welle”-s, Rupert Wiederwald tha se nuk dihet nëse Röttgen ka folur në emër të Merkelit, apo nëse ka pasur motive të tjera. Ai shtoi se vendimi për të shpallur kandidaturën e Merkelit tani është “qartësisht” një kundërreagim ndaj zgjedhjes surprizuese të Donald Trumpit si president i Amerikës, teksa mposhti Hillary Clintonin javën e kaluar.
Pas fitores së Trumpit, Merkel përgëzoi politikanin republikan, por tha se ajo do të bashkëpunonte me udhëheqësin e ri amerikan bazuar mbi vlerat e “demokracisë, lirisë, respektit për ligjin dhe dinjitetin njerëzor, pavarësisht origjinës së tyre, ngjyrës së lëkurës, besimit fetar, gjinisë, orientimit seksual apo pozicionit politik”.
Merkel është përballur me kritika brenda Gjermanisë për shkak të politikës së dyerve të hapura ndaj refugjatëve, gjë që bëri që mbi 900 mijë azilkërkues të hynin në Gjermani në vitin 2015. Në Gjermani, Kancelari/ja nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga vota popullore, por nga shumica e Bundestagut. Zakonisht, udhëheqësi i partisë që merr më shumë vota në zgjedhjet e përgjithshme zgjidhet Kancelar. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Gjermani do të mbahen në vitin 2017.