Gjermani, evakuohet aeroporti i Frankfurtit pas alarmit për bombë

487
Aeroporti i Frankfurtit në Gjermani raportohet të jetë duke u evakuuar për shkak të një alarmi për bombë. Mediat vendase, përfshi gazetën “Bild”, bëjnë të ditur se një pasagjer është pikasur me një pajisje shpërthyese, teksa përpiqej të kalonte kontrollet e sigurisë.
Një pjesë e konsiderueshme e “Terminalit 1” në këtë aeroport është boshatisur nga udhëtarët, teksa operatori që shërben në të njoftoi se një pasagjer kishte kaluar nga ana e pistës pa përfunduar totalisht kontrollin e sigurisë.
“Policia federale ka boshatisur zonat ‘Piers A dhe A+’, ndërsa pasagjerët do t’u nënshtrohen sërish kontrolleve”, tha “Fraport” për “Reuters”. Një zëdhënëse e këtij operatori shtoi se shkelja e kontrolleve të sigurisë mund të sjellë si pasojë edhe shtyrje të disa fluturimeve nga ky terminal, që përdoret më së shumti nga linja ajrore “Lufthansa”.
Zhvillimet për këtë ngjarje janë ende në hapat e parë, megjithatë siguria në aeroport duket se është në gjendje maksimale, ndërsa pritet që të mësohet më shumë mbi të.
Sigal