Gjermani azilantët shqiptarë, nga 34 mijë kërkesa u pranuan vetëm 10, rrëfimet e të kthyerve

87

Nga 34 mijë qytetarë
nga Shqipëria që kërkuan azil në Gjermani në 2015-2016 u pranuan vetëm 10 vetë.
Problemet ekonomike, papunësia, varfëria e strehimi vazhdojnë të mbeten faktorë
nxitës për largimin drejt Gjermanisë.

Prej pesë muajsh Akil
Varfi, gjimnazist në Shkodër, ushqen vetëm një ëndërr: të rikthehet në
Duisburg, qytetin gjerman pranë Düsseldorfít. Atje ku kërkoi familja e tij
azil, atje ku jetoi me prindërit dhe tre motrat nga shkurti 2014 në gusht 2016
në pritje të përgjigjes për të drejtën ose jo të marrjes së azilit. Akili preu
biletën e avionit dhe u kthye në Shkodër para 5 muajsh kur përgjigja erdhi
negative.

„Ishte 12 gushti i vitit të kaluar kur u riktheva në Shkodër. Për fat të mirë
nuk kishim shitur shtëpinë. Në shtator fillova gjimnazin atje ku e pata lënë,
në vitin e dytë. Kisha humbur dy vite, shokët e mi filluan universitetin.
Prindërit dhe motrat u kthyen 3 muaj më vonë, babai gjeti në Duisburg një
avokat, pagoi 500 euro për të kundërshtuar vendimin e rikthimit në Shqipëri.
Por nuk fitoi”.

Ai tregon se vendimin
për të ikur nuk po e bluanin prej shumë kohësh në mendje. E morën tak-fak,
brenda 2-3 ditësh. Prindërit ishin pa punë. Gjashtë vetë në një shtëpi të
vogël. Në Shkodër ishte hapur fjala se Gjermania pranonte azilantë nga
Shqipëria. Në rrjetet sociale thuhej e njëjta gjë. Një mëngjes shkurti të vitit
2014 u nisën me një taksi nga Shkodra drejt Duisburgut ku kishin disa miq.

„Ishte 14 shkurt. Mbërritëm pa probleme dhe të ndihmuar nga miqtë tanë
shkodranë shkuam tek autoritetet lokale dhe aplikuam për azil. Në fillim na
vendosën në kamp ku kishte njerëz nga shumë kombësi. Jeta në kamp nuk ishte e
lehtë, kishte rregulla strikte, të rrepta. Pas disa muajsh bashkia na dha një
shtëpi, diku në qendër të Duisburgut. Por ishte vështirë të gjenim punë, ishim
të papërgatitur, nuk dinim gjuhën, nuk njihnim ligjet dhe institucionet
gjermane. Ajo që unë e familja ime kuptuam në fund krejt qartë është se
zgjodhëm një rrugë të gabuar për të punuar dhe jetuar në Gjermani. Por koha që
kalova në Duisburg, gjithë sa mësova, njerëzit që njoha ndryshuan jetën time ..
tani ushqej ëndrrën që të kthehem atje përsëri, jo si azil-kërkues por si
punë-kërkues apo student”, thotë Akili.

Fluksi i emigrantëve
nga Shqipëria në Gjermani pritet të vazhdojë

Përvoja e Akilit është e njëjtë me dhjetëra mijëra azilkërkues nga Shqipëria të
kthyer nga autoritetet gjermane. Por edhe pse ata janë modeli i dështimit të
përpjekjeve për të fituar në Gjermani azil me motive ekonomike, fenomeni
vazhdon. Gjithsesi në shifra më të ulta. Sipas një studimi, të publikuar kohët
e fundit, produkt të Fondacionit Gjerman”Hans Seidel”në Tiranë dhe Institutit
për Bashkëpunim dhe Zhvillim, 53. 805 qytetarë nga Shqipëria aplikuan për azil
në Gjermani gjatë vitit 2015. Autoritetet gjermane dhanë përgjigje pozitive
vetëm për 55 syresh, pra, për rreth 0,1 % të numrit total të aplikantëve. Kjo
shifër dhe kthimet në Shqipëri pas përgjigjeve negative do të duhej të frenonin
vijimin e ikjeve drejt Gjermanisë dhe aplikimeve për azil. Por nuk ka ndodhur
kështu.Gjatë 10 muajve Janar –Tetor 2016 autoritetet gjermane regjistruan 34
mijë kërkesa për azil. Prej tyre ata miratuan vetëm 10 syresh dhe asnjë leje
pune!

“Ky lloj fluksi
emigrimi pritet të vazhdojë. Faktorët që shtyjnë shqiptarët të largohen nga
vendi nuk mund të zhduken si me një shkop magjik. Problemet ekonomike,
papunësia, varfëria, strehimi do të vazhdojnë të mbeten faktorë që do të nxisin
largimin nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Rritja e parashikuar ekonomike dhe
përbërja e tanishme e sektorëve industrialë dhe shërbimve, popullsia në zonat
rurale, epërsia e kompanive të vogla, – 90 % e tyre, të regjistruara në
Shqipëri kanë deri në 4 vetë të punësuar- nuk mund të ofrojë tërheqjen në
tregun e punës të të gjithë atyre që duan dhe janë të aftë për punë” thotë për
DW, Ardian Haҫkaj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Bashkëpunimit dhe
Zhvillimit.

Pse Gjermania?
Zgjedhja e Gjermanisë nga shqiptarët si vendi për të emigruar mbështetet në një
sërë faktorësh tërheqës: ka një sistem të organizuar për pritjen e emigrantëve,
përfitime në para për të gjithë periudhën e pritjes së përgjigjes për aplikimin
për azil.

“Prindërit e mi merrnin
250 euro në muaj para në dorë për ne, 4 fëmijët dhe 330 ata vetë. Autoritetet
lokale na siguronin ushqime, veshmbathje dhe strehim falas. Prindërit e mi
filluan të bëjnë punë sociale me 1 euro ora. Kishim shtëpinë në qendër të
qytetit dhe jetonim në kushte shumë më të mira nga ato në Shqipëri.”

Një arësye tjetër e rëndësishme
është edhe reputacioni që gëzon Gjermania në Shqipëri si vendi që ofron
përspektivën më të mirë të jetës, si një vend serioz dhe i strukturuar për ta
bërë këtë perspektivë të realizueshme. Italia dhe Greqia, dy vendet fqinjë ku
shqiptarët emigruan së shumti në 20 vitet e para pas përmbysjes së regjimit
komunist nuk mund të ofrojnë atë të ardhme që ofron Gjermania. Rënia e
remitancave, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe sidomos kthimi në Shqipëri
i dhjetra- mijëra emigrantëve nga Greqia dhe Italia të mbetur pa punë pas
krizës financiare të 2008-ës kthyen alternativat e emigrimit të
shqiptarëve nga dy vendet fqinjë tek Gjermania.

Në Gjermani si
punëkërkues

Perspektivën gjermane kërkon të kapë edhe Akil Varfi. Në Duisburg nisi të
mësojë gjermanisht dhe frekuentoi një shkollë profesionale për sekretari. Në
ditët e pushimit punonte pranë një prifti katolik si sekretar i tij dhe merrte
një pagë modeste. Me pagën e tij preu biletën e avionit për t‘ u kthyer në
Shqipëri, sapo autoritetet gjermane të Düsseldorfit i kthyen përgjigje
negative. Koha e qendrimit në Gjermani i dha përvoja dhe këndvështrime të reja
për jetën, ai u informua sesi funksionojnë gjërat në Gjermani, si është
sistemi, si duhet respektuar për të qenë pjesë e tij.
“Ka njerëz në Shkodër që duan të shkojnë në Gjermani si azil kërkues.. atyre u
them, „ Jooo, Moos, nuk bëhet” dhe i rrëfej gjithë përvojën e familjes sime. U
them ka rrugë të tjera , të sigurta: emigrimi si punëkërkues, gjuha gjermane,
kontrata e punës. Kjo do të jetë edhe rruga ime. Hera tjetër do të jetë
ndryshe, nuk do të shkoj si azil-kërkues por si punëkërkues, me një kontratë
pune”, thotë Akili Varfi.
Dëshira e Akilit dhe mijëra të rinjve dhe të rejave si ai mbështetet dhe
ushqehet nga prioriteti që autoritetet e Tirans i kanë dhënë arsimit
profesional si edhe shtimi i numrit të kurseve të gjuhës gjermane nga Instituti
Goethe në Tiranë për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të brezit të ri për të
mësuar gjermanisht, si parakusht i vajtjes në Gjermani si punëkërkues apo
student.