Gjendet censusi i hebrenjve në Budapest, i fshehur në murin e një shtëpie

544
Mbetje të dokumenteve të pazbuluara më parë të periudhës së holokaustit janë zbuluar në murin e një apartamenti, me pamje nga godina e parlamentit hungarez dhe lumi ikonik Danub. Për dekada me rradhë, mijëra faqe nga censusi i hebrenjve kanë qëndruar të fshehura, gati të balsamosura prapa një muri, derisa një çift gjerman-hungarez vendosi së fundmi të rikonstruktojë apartamentin për ta rinovuar dhe bëri zbulimin. Kur kjo faqe muri u shemb sipas projektit, brenda tij u gjetën dhjetëra letra që Berdefys nuk e kishte idenë se çfarë ishin, edhe pse kishin vite që jetonin në këtë shtëpi. Nga muri, menjëherë sapo ai u godit, ranë në tokë plot 60 kg dokumenta të censusit, që datonin nga lista e vitit 1944 e hebrenjve që jetonin në 4 rajone të ndryshme të Budapestit. “Kur gjetëm grumbullin e parë të letrave në një vrimë të vogël, nuk e kuptuam me çfarë kemi të bëjmë, më pas në të gjithë faqen e murit gjetëm të tjera e të tjera. Gati shpërthyem në lot kur e kuptuam se për çfarë bëhej fjalë. I pamë të gjithë emrat e listuara, disa prej tyre ishin familjarë për ne, i kishim dëgjuar” tha pronarja e këtij apartamenti, Brigitte Berdefy, teksa qëndron pranë këtij muri.

Çuditërisht, letrat ishin të gjitha në gjendje shumë të mirë dhe boja ishte ende e qartë ndaj gjithçka lexohet lehtësisht. Për Brigitte, që ka ardhur nw Budapest nga Gjermania, vite më parë, ky zbulim ka shkaktuar reagime dhe emocione të forta. “Kjo nuk është thjesht një histori nga një mur në Budapest edhe pse në vitin 1944. Kjo është histori e të gjithë botës dhe mbi të gjitha janë dokumente të rëndësishme për hebrenjtë dhe mua si gjermane, kjo gjë më prek vërtet shumë. Tani po mendojmë se cfarë duhet të bëjmë me këto letra sepse njerzit duhet ti shohin gjithë këto” tha ajo. Pas disa kërkimeve, çifti vendosi t’ja dorëzojë këto qindra dokumenta të vjetra dhe unike arkivës së Qytetit të Budapestit. Këta të fundit u surprizuan dhe mbetën të mahnitur nga dokumentetet, që për vite e vite me rradhë ishin menduar të shkatërruar nga lufta. Në këto letra që në realitet është census, janë listuar emrat e atyre që ishin hebrenj dhe të krishterëve në çdo godinë të çdo lagjeje, nëse ato punonin apo jo. Që në kohën e Holokaustit, ato kanë qëndruar si pjesë e pandarë e kësaj godine dhe sot mbartin vlera të paimagjinueshme. Sipas këtij censusi, më pas janë ndërtuar edhe godinat e famshme si shtëpitë me yll të verdhë, ku më vonë u zhvendosën hebrenjtë.

“Ajo çka mund të themi është se këto letra janë shumë sinjifikative dhe mbulon një periudhë dhe një zonë vërtet të madhe” tha drejtori i Arkivës së qytetit të Budapestit, Istvan Kenyeres. Letrat janë gjetur një kushtet shumë të mira, për çudi, sepse janë mbështjellë me një material plastik bashkë me oksigjen, duke formuar karbonat kalciumi, që mbulon dokumentet dhe i mbron ato nga gjithçka, në këto raste nga lagështira. Restauratorët i kanë pastruar letrat dhe kanë riparuar ndonjë të çarë apo të grisur mes tyre. Pothuajse 90% e dokumentave janë restauruar dhe do të dixhitalizohen vitin e ardhshëm. “Ky është rasti i parë i tillë për ne sepse mendonim se këto dokumente ishin shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore por në fakt rezultuan të fshehura qëllimisht në gjendje të mirë dhe në mënyrë vërtet profesioniste. Mund të them se dokumentat janë fshehur ekzaktësisht 70 vjet më parë dhe ende sot janë në kushte mjaft të mira” tha Kenyeres. Po çka është intriguese tashmë është pyetja, përse këto dokumenta janë ruajtur dhe fshehur me kaq kujdes. Tashmë kërkimet nga studiuesit kanë nisur për të parë sa më parë një përgjigje.

Një teori sugjeron që zyrtarët e qeverisë në atë kohë kanë besuar se këto letra në një kohë tjetër mund t’i hynin në punë, ndaj i kanë ruajtur me fanatizëm.
Studiuesit thonë gjithashtu se ky lajm do të ndihmojë shumë familje që janë ende në kërkim të historisë së paraardhësve të tyre. “Dokumentet në kushte kaq të mira janë vërtet të rralla. Më duhet të them se kjo është një histori vërtet unike dhe gjetja e këtyre dokumenteve është vërtet një mrekulli. Madje do të ishte mirë që edhe në mure e godina të tjera të bëhen kërkime sepse ndoshta mund të bëhen zbulime dhe gjetje të dokumenteve të tjera, për Budapestin e asaj periudhe” tha kreu i departamentit të arkivës së Budapestit, Adrien P. Holl. Në Hungari, Holokausti nisi vite përpara pushtimit gjerman në vitin 1944. Nën regjimin e liderit të luftës Miklos Horthy, ka patur masakra të frikshme kundër hebrenjve, vrasje masive apo deportime të mijëra hebrenjve në kampet e punës.
Forcat pushtuese gjermane, të ndihmuara edhe nga autoritetet hungareze në atë kohë, deportuan 437 mijë hebrenjë brenda pak javëve në vitin 1944. Në total, gati gjysmë milioni hebrenj u zhdukën, përpara se getoja në Budapest të çlirohej në vitin 1945.
Sigal