Gazeta Gjermane: Kush i vë në dyshim kufijtë në Ballkan, rrezikon dhunë dhe tradhton idetë e Europës – këto plane duhet të varrosen në Berlin

124

Gazeta e njohur gjermane “Süddeutsche Zeitung” i ka quajtur eksperimente me eksploziv planet e presidentit serb dhe përkrahësve të tij nga Prishtina dhe Tirana për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Sipas gazetës që botohet në München, në samitin e Berlinit me vendet e Ballkanit që e organizojnë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron në qendër të vëmendjes nuk do të jenë mangësitë e shteteve që aspirojnë të hyjnë në BE, por një gabim fatal i Bashkimit Europian.

Europianët dhe sidomos kryediplomatja e BE-së Federica Mogherini jo vetëm që kanë lejuar, por edhe e kanë nxitur debatin mbi ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Gazeta gjermane shkruan se fakti që Donald Trump e ka përkrahur këtë ide është arsye për alarm, andaj është meritë e Angela Merkelit, e cila nga fillimi i ka kundërshtuar planet për ndryshim të kufijve. Kush i vë në dyshim kufijtë, ai e ndez fitilin e fuçisë së barotit ballkanik.

Kush e bën këtë, ai rrezikon dhe provokon shpërthimin e konflikteve të reja nga shteti me tre popuj të quajtur Bosnjë deri në Maqedoninë e Veriut me pakicën e fuqishme shqiptare. Me konceptin e ndryshimit të kufijve u jepet të drejtë pa kurrfarë zori atyre nacionalistëve që në luftërat e viteve ’90, përkundër gjithë brutalitetit nuk arritën cakun e shteteve etnikisht homogjene. Me idetë për ndryshimin e kufijve tradhtohet edhe ideja themelore europiane, e cila si zgjidhje të konflikteve nuk parasheh ndarjen, por bashkëpunimin dhe e cila nuk i shtynë kufijtë, por i bën ata mundësisht të parëndësishëm, shkruan “Süddeutsche Zeitung”.

Është koha e fundit që Merkel t’i bëjë bashkë krerët e Ballkanit në Kanzleramt, selinë e kancelares, që këto plane që harrojnë historinë të varrosen përfundimisht. Njëkohësisht në këtë takim Merkel bashkë me Macron mund t’i dërgojnë Trumpit një mesazh se europianët nuk pranojnë pazare të kalbura dhe se paqësimin e Ballkanit ata e shohin si detyrë parësore të tyre, nënvizon “Süddeutsche Zeitung”.

Por, në Berlin nuk mjafton të korrigjohet vetëm një gabim kapital. Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u ofrohet një perspektivë bindëse e anëtarësimit në BE. Çdo vit nga një samit ngushëllues është pak si koncept për Ballkanin, shkruan “Süddeutsche Zeitung” në komentin që botohet në numrin e së hënës. (dialogplus.ch)