Gauck: Gjermania do mbështesë reformat tuaja me të gjitha mjetet

455
Sigal

TIRANE – “Gjermania do mbështesë reformat e Shqipërisë me të gjitha mjetet” Deklarata është bërë nga Presidenti i Republikës së Gjermanisë, Joachim Gauck në një letër që ky i fundit i ka dërguar homologut të tij shqiptar Bujar Nishani, ku ka uruar popullin shqiptar me rastin e Festës Kombëtare.
 
Në letrën e dërguar, teksa uron shqiptarët për festën e pavarësisë,  Presidenti gjerman Gauck ka vlerësuar marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria në qershorin e këtij viti si një hap të rëndësishëm të vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst Gauck ka theksuar vullnetin e Gjermanisë për të mbështetur me të gjitha mjetet që ka në dorë, përmbushjen e reformave të Shqipërisë me qëllim integrimin evropian të vendit tonë.
 
“Me rastin e Festës Suaj Kombëtare, Ju përgëzoj Juve si dhe qytetareve dhe qytetarëve të vendit Tuaj përzemërsisht, edhe në emër të bashkatdhetarëve të mi. Në qershor të këtij viti, vendi Juaj mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Kjo ka qenë një hap i rëndësishëm në rrugën e vendit Tuaj për në Bashkimin Evropian. Gjermania do të jetë një partner i besueshëm i Shqipërisë në këtë rrugë edhe në të ardhmen dhe do t’i përkrahë reformat e mëtejshme të vendit Tuaj me të gjitha mjetet që ka në dorë. Ju uroj Juve dhe njerëzve në Shqipëri – edhe në emër të bashkatdhetarëve të mi – gjithë të mirat dhe një të ardhme paqësore në mirëqenie dhe liri.” thuhet në mesazhin e Presidentit Gauck drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar.