Gati sulmi në çdo kohë, Koreja e Veriut kërcënon me armë nukleare

548
Korea e Veriut është gati të përdorë në çdo kohë armët nukleare ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj nëse Perëndimi nuk heq dorë nga politikat armiqësore ndaj regjimit të Kim Jong Un. Në një deklaratë të publikuar nga media shtetërore e lajmeve citohej një zyrtar i agjencisë atomike sipas të cilit Korea e Veriut po përmirëson arsenalin nuklear në sasi dhe cilësi.
Gjithashtu zyrtarët e kësaj agjencie kanë bërë të ditur se kompleksi kryesor nuklear në Jongbyon që përfshin pasurimin e uraniumit si dhe një reaktor për prodhimin e plutoniumit po operon normalisht . Kjo nuk është hera e parë që Korea e Veriut kërcënon Perëndimin me sulme nukleare por dyshimet mbeten ende të forta nëse shteti komunist ka realisht kapacitetet dhe teknologjinë për të goditur me armë nukleare. Aktiviteti në këtë reaktor u ndërpre në vitin 2007 por Piang-iangu vendosi ta rihapte në vitin 2013 duke rikthyer tensionet në arenën ndërkombëtare.
Ekspertët mendojnë se nëse reaktori rifillon funksionimin me kapacitet të plotë mund të prodhojë deri në një bombë nukleare në vit. Njoftimi nga autoritetet koreano verione për rinisjen e punës në këtë reaktor është i pari njoftim zyrtar.
Lajmi është pasqyruar menjëherë në mediat më prestigjioze të botës duke rikthyer edhe njëherë rrezikun që SHBA dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar prej kohësh për regjimin e Kim Jong Un. 
Sigal