Sigal

E përjavshmja amerikane “Time” i kushton kopertinën e saj të radhës zëvendës kryeministrit dhe njëherësh ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini. Intervista e tij e plotë do të publikohet më 24 shtator. “Fytyra e re e Europës” është titulli i intervistës e shoqëruar me një foto bardh e zi të Salvinit.

Salvini është intervistuar nga korrespondentja Vivienne Walt, e cila flet për Salvinin si njeriun që i “druhen më shumë në Evropë”. Ai cilësohet si kapiteni që kërcënon të përmbysë një sistem politik që është tronditur nga vala populiste e tri viteve të fundit”. Walt thekson se slogani i përsëritur nga Salvini në mitingjet e tij është “Italian First”, një slogan që imiton atë të presidentit Trump me “America First”.

“Jemi duke punuar për të rimarrë frymën evropiane që është tradhtuar nga ata që e drejtojnë këtë bashkësi” – tha Salvini mes rreshtave të intervistën dhënë në ‘Time” që do të publikohet e plotë më 24 shtator.

Për sa i përket emigrimit, Salvini nënvizon se “historia do të na besojë rolin e shpëtimtarit të vlerave Evropiane”, duke cituar “rrënjët hebreo-kristiane, të drejtën për të punuar, të drejtën për jetën”. Dhe për sa i përket lidhjes mes emigracionit dhe kriminalitetit, Salvini i bie shkurt: “Nëse arrijmë të reduktojmë numrin e krimeve dhe praninë e emigrantëve të paligjshëm, mund të më quajnë racist sa herë të duan ”, u shpreh ministri italian.

Duke folur për raportet me Moskën, Salvini tenton të synojë “në një partneritet pozitiv mes Rusisë dhe Europës”, duke i cilësuar qesharake akuzat që i bëhen Rusisë, në lidhje me ndërhyrjet e saj në zgjedhjet Amerikane dhe në ato Evropiane.

Në kopertinën e revistës së njohur “Time” kanë qenë dhe figura të tjera të njohura të politikës italiane si Silvio Berlusconi, Mario Monti, dhe në të kaluarën Berlinguer, Togliatti, De Gasperi dhe Mussolini. Ndërsa fotoja e Salvinit është realizuar nga dy fotografë Italian Luca Santese dhe Marco P. Valli.