Fushata e zotit Trump ka shpenzuar më pak se sa ajo e znj. Clinton

567
Sigal

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka dhënë 66
milionë dollarë për fushatën e tij presidenciale. Komisioni Federal i
Zgjedhjeve tha se në ditët e fundit të fushatës, zoti Trump shpenzoi 94 milionë
dollarë, ndërsa kundërshtarja e tij, Hillary Clinton, e cila kishte një fond më
të madh për fushatën se sa zoti Trump, shpenzoi 132 milionë dollarë në ditët e
fundit të fushatës presidenciale.

Megjithatë, biznesmeni miliarder
e fitoi garën me ish-sekretaren e shtetit, gjë që nuk pritej nga shumica e
analistëve, duke përfshirë mediat.

Brad Parscale, drejtor i fushatës
dixhitale të zotit Trump, ka thënë për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se
investimet strategjike të minutës së fundit në reklamat dixhitale në Miçigan,
Uiskonsin, Pensilvani dhe Florida, i hapën rrugën kandidatit republikan drejt
fitorës së garës për Shtëpinë e Bardhë.

“Nëse nuk do të kishim
shpenzuar në këtë platformë ndoshta nuk do të kishim mundur të
fitonim”, tha zoti Parscale.

Robby Mook, menaxheri i fushatës
së zonjës Clinton, tha në një konferencë të kohëve të fundit të strategëve
politikë dhe gazetarëve në Universitetin e Harvardit, se është penduar që nuk
ka shpenzuar më shumë fonde në Miçigan, një shtet të cilin zoti Trump e ka
fituar me një diferencë prej më pak se 11 mijë votash.

Njoftohet se zoti Trump ka
mbledhur 339 milionë dollarë kundrejt 565 milionë dollarëve që zonja Clinton
mblodhi gjatë këtij viti të fushatës presidenciale.