Fushata e pazakontë në SHBA, kandidatët fokusohen tek karakteri i njëri-tjetrit

468
Sigal

Fushatat presidenciale amerikane zakonisht përqendrohen tek çështje të tilla si ekonomia, politika e jashtme dhe emigracioni. Por ky vit është ndryshe me kandidatët që janë fokusuar kryesisht tek karakteri i njëri-tjetrit.

Rihapja e hetimeve në lidhje me serverin privat të email-eve që përdorte demokratja Hillary Clinton, e ktheu në qendër të vëmendjes temën e besueshmërisë dhe rivali i saj Donald Trump nuk humbi kohë për ta sulmuar. Ai e quajti këtë si skandalin më të madh politik që prej “Watergate”. Por edhe pse e gjeti veten papritur në pozicion mbrojtës, pak ditë para zgjedhjeve, ish-Sekretarja e Shtetit vazhdon të lëshojë akuza që kanë në qendër karakterin e Trump-it, e veçanërisht sjelljet e tij me gratë.

Analisti Matt Dallek mendon se gara presidenciale është kthyer në një debat për karakterin dhe personalitetin, çka sipas tij do të vazhdojë deri në fund. “Temat për politikat e kandidateve nuk janë aq qendrore sa zakonisht”, thotë ai. Anketat tregojnë se shumë votues kanë mëdyshje për besueshmërinë e Clinton, por një numër edhe më i madh shqetësohen se Trump nuk ka temperamentin e duhur për president. Ndoshta komenti më pikant në prag të 8 nëntorit është ai i historianit anglez Andreë Roberts, që duke kujtuar nga batute të Henry Kissinger gjatë luftës mes Iranit dhe Irakut tha: sa keq qe nuk mund të humbasin të dy. Për analistin Patrick Hickey zgjedhjet janë të pazakonta pasi të dy kandidatët shihen negativisht nga shumica e amerikanëve.

Një ndër fushatat elektorale më të gjata dhe më antagoniste në Shtetet e Bashkuara mbyllet të martën, një fakt shumë i mirëpritur për një pjesë të madhe të amerikanëve.