FSK bën historinë në Londër,oficeri Ismajl Hoxha merr “Shpatën e Nderit”

499
Pas 12 muajsh shkollim në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst, në Britaninë e Madhe, oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ismajl Hoxha fitoi shpatën për oficer-kadetin më të mirë në ndërkombëtar. Është hera e parë që një përfaqësues ushtarak nga Ballkani merr një çmim të tillë. Në ceremoninë e diplomimit, në Sandhurst, Hoxha pati nderin që nga Princi Charles, të pranojë këtë çmim. Bashkë me të, sot diplomuan edhe dy oficerë të FSK-së, Fitore Fazliu dhe Besfort Kruma. I pranishëm në ceremoni ishte edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Grajçevci. Në ceremoninë madhështore në këtë Akademi, flamuri i Kosovës nuk ishte i vendosur sipas alfabetit, siç ka ndodhur në ceremonitë e kaluara. Sot, ai qëndronte i pari nga të gjithë flamujt e shteteve tjera pjesëmarrëse në akademi. Për të ndjekur ceremoninë e diplomimit dhe paradën, ulëset e para ishin rezervuar për mysafirët nga Kosova.

Me të gjitha këto u tregua një respekt i veçantë për shtetin e Kosovës, meqë edhe përfaqësuesi i këtij shteti po del nga kjo Akademi me një çmim që askush nga Ballkani deri tani nuk ka arritur ta marrë. Zakonisht, Princi Charles nuk merr pjesë në ceremonitë e diplomimit në RMAS. Por sot, ai qëndroi bashkë me oficerët që po diplomonin, aty ku u shkolluan edhe dy djemtë e tij. Duke uruar të shpërblyerit, Princi Charles i Britanisë së Madhe, tha se kjo kohë kur kadetët po shpërblehen, është një kohë e vështirë e profesionit të ushtarakëve, pasi sipas tij shtyllat e rendit ndërkombëtar po sfidohen me ardhjen e një kulti vdekjeje dhe shkatërrimi, duke aluduar në militantët e Shtetit Islamik, të cilët ai nuk i përmendi me emër. Princi Charles: “Sot është ditë feste për të kumtuar arritje të mëdha të njerëzve që meritojnë urimet më të ngrohta. Ju po merrni çmimet tuaja në një kohë kur profesioni ushtarak po zhytet në ujëra të turbullta. Shtyllat e rendit ndërkombëtar janë duke u sfiduar si kurrë më parë gjatë gjithë jetës time. Në të njëjtën kohë një kult vdekjeje dhe shkatërrimi është duke defiluar nëpër tokat e vjetra duke joshur një numër të frikshëm të të rinjve që përfundojnë të vdekur. Në ballë të këtyre sfidave, vlerat tradicionale britanike – sjellja e ndershme, qytetërimi, një dozë humori në vështirësi – mbesin po aq të çmuara siç kanë qenë gjithnjë”.

Pas 12 muaj sfidë në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst, Ismajl Hoxha do të kthehet në Kosovë me shpatën të cilën e pranoi nga Princi Charles, dhe e cila dëshmon për përkushtimin dhe aftësitë që ai ka treguar në akademi gjatë shkollimit. Institucioni ushtarak i njohur botërisht, vlerësoi lart performancën e oficerit të shtetit më të ri në Evropë. Ismajl Hoxha tha se nuk është ndjerë asnjëherë më krenar, dhe i emocionuar tha se ka qenë një ditë e veçantë për atë në fund të përvojës së tij 12 muajshe në akademinë ushtarake ku i pranishëm ishte edhe Princi Charles. Ismail Hoxha:“Ka qenë një ditë e veçantë pasi Princi Charles ka qenë këtu. Zakonisht nuk ndodh një gjë e tillë, mirëpo kjo ka qenë hera e parë, u shpërblye me prezencën e princit Charles. E ka bërë këtë çështje edhe më të mirë dhe ndjehem shumë i kënaqur kur e kam marrë vesh që ka me qenë Princi, të njëjtën kohë e kam kuptuar që edhe do të shpërblehemi. Me të vërtetë është një ditë e veçantë për të gjithë ne. Do të kthehemi në FSK, do ta vazhdojmë punën që e kemi pasur pas diplomimit në FSK, udhëheqës i togut, kështu që pres edhe atje ta kem një eksperiencë shumë të mirë me të gjithë ata që kanë dëshirë të punojnë dhe po pres që për një kohë shumë të shkurtër të kthehemi dhe të fillojmë punën”.



Sigal