Frank Shkreli:Amerika do të legalizojë emigrantët shqiptar

525
Sigal

Çështja e imigracionit, këtu në Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe vazhdon të jetë një çështje që shkakton debate dhe mosmarrëveshje ndër më të ashprat, jo vetëm gjatë fushatave elektorale në nivel federal, shtetëror dhe vendor, por edhe në jetën e përditshme anë e mbanë Amerikës. Nuk është fjala për imigrantët që vinë këtu legalisht, por për ata që hyjnë në këtë vend ilegalisht dhe qëndrojnë këtu me vite, dekada dhe ndoshta për gjithmonë si të tillë — duke shkelur ligjet e imigracionit të këtij vendi. Llogaritet se tani për tani, në Shtetet e Bashkuara mund të jetojnë rreth 11 milionë imigrantë ilegalë, megjithëse numri i vërtetë është vështirë të përcaktohet. Shumica e tyre hyjnë në këtë vend nga Meksika, por imigrantë ilegalë në Amerikë ka pothuaj nga çdo kënd i botës, përfshirë edhe shumë shqiptarë. Megjithëse, kryesisht për arsye të  krizës ekonomike, hyrja pa leje e imigrantëve, sidomos nga Meksika, është ngadalësuar në mënyrë të dukshme dhe sipas disa burimeve mund të jetë në nivelin më të ulët në 40-vjet, problemi i imigracionit ilegal vazhdon të mbizotërojë diskursin politik dhe ekonomik të këtij vendi.

Muajt e fundit, në Uashington është venë re një ndërmarrje serioze nga senatorë të dy partive politike- demokratë dhe republikanë- për të zgjidhur, atë që është cilësuar si çështja e imigracionit ilegal, nismë, e cila siç duket do të arrijë kulmin këtë javë, si çështja numër një në agjendën e Kongresit. I ashtuquajturi “Grupi i të Tetëve” i Senatit Amerikan dhe grupi i 6 ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve, për disa javë tani janë takuar privatisht, me shpresë për të arritur një marrëveshje në vija të përgjithshme, për një çështje që ka përçarë politikën dhe vendin për vite me radhë, për të mos thënë për dekada, ndërsa në të  njëjtën periudhë janë bërë edhe përpjekje për të gjetur mënyra për zgjidhjen e këtij problemi që të jetë e pranueshme për të dy palët, duke arritur një marrëveshje për një plan të gjithanshëm reformash të sistemit të imigracionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndër propozimet e para për të reformuar sistemin ishte ai i Senatori republikan Xhon Mekejn dhe i të ndjerit  ish-Senatorit demokrat Eduard Kenedi, të cilët kishin hedhur propozimin e parë pothuaj dhjetë vjet më parë, për një projektligj që do të konsiderohej si një kompromis.   Sipas këtij propozimi, republikanët ishin të kënaqur me  marrjen e masave më të forta përgjatë kufirit me Meksikën -gjë për të cilën kanë këmbëngulur vazhdimisht–me qëllim për të ndaluar hyrjen në masë dhe të pakontrolluar të imigrantëve ilegalë  – dhe demokratët do kënaqeshin me miratimin e një procesi, në bazë të të cilit, më shumë se 11 milionë imigrantëve ilegalë do t’u mundësohej e drejta për t’u bërë banues të përhershëm të këtij vendi. Plani Mekejn-Kenedi pati siguruar edhe përkrahjen e ish-Presidentit Xhorxh Bush, por nuk mori përkrahjen e nevojshme në Kongresin amerikan. Gjatë fushatës për president, katër vjet më parë, Barak Obama premtoi reforma të gjithanshme të imigracionit, por gjatë katër vjetëve të kaluara nuk tregoi ndonjë interesim të madh për këtë çështje. Ndërsa në fillim të mandatit  dytë, Presidenti Obama ka thënë se, reforma e imigracionit është një prej prioriteteve të tija kryesore, duke shprehur besimin e tij se, do të arrihet një konsensus në Kongres.

Komisioni i ligjeve i Senatit Amerikan ka caktuar të mërkurën e kësaj jave si ditën që senatorët e këtij komisioni do të dëgjojnë dëshmi mbi planin e Senatit, përfshirë edhe propozimin për të legalizuar miliona imigrantë ilegalë që tani jetojnë në këtë vend, por sipas lajmeve, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pasi imigrantët ilegalë të kenë kaluar nëpër një proces tepër rigoroz kontrolli individual, pasi të kenë kapërcyer pengesa të shumta dhe duke përfshirë edhe nevojën për të mësuar anglishten dhe për të pasur një vend pune.

Edhe në të kaluarën, në Kongresin Amerikan janë paraqitur propozime të ndryshme për të reformuar ligjet mbi imigracionin, por sivjet duket se ekziston mundësia më reale për të ndërmarrë reformat e nevojshme, pasi sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 64 për qind e amerikanëve janë në favor për t’u dhënë shtetësinë imigrantëve ilegalë. Anëtarët e Kongresit zakonisht tentojnë të marrin vendime në përputhje me përkrahjen dërmuese publike të çështjeve që konsiderohen nga ligjvënësit amerikanë, siç është reforma e imigracionit. Si rrjedhim, një numër kongresistësh, përfshirë edhe Senatorin republikan Xhon Mekejn shprehen optimistë se, ky mund të jetë viti që, më në fund, sjell reformat e nevojshme në sistemin amerikan të imigracionit. Kjo sepse, edhe Presidenti Obama ka shprehur gatishmërinë e tij duke thënë se, është i vendosur që të bëjë ç’është e mundur për të siguruar miratimin e reformave nga Kongresi.

Megjithëse, propozimet e reja pritet të kundërshtohen nga konservatorët, të cilët janë kundër legalizimit të statusit për imigrantët pa dokumente, edhe pala republikane duket gjithashtu e vendosur për të bërë diçka për të përshpejtuar reformën mbi imigracionin, pasi nuk dëshiron të konsiderohet si partia që është kundër imigrantëve. Senatori Marco Rubio, kryenegociatori republikan për të reformuar ligjet e imigracionit, nga prindër të ardhur nga Kuba dhe njëkohësisht kandidat i mundshëm për President në vitin 2016, ndërsa ishte ftuar nga tre programet e tre rrjeteve televizive kryesore të së dielës për të diskutuar problemin e imigracionit,- tha në programin “Meet the Press”, të TV-NBC se ligjet që kemi tani, “nuk janë të mira për askënd…. statuskuoja është e tmerrshme për Amerikën”, -shtoi ai. Duke folur për propozimin e ri  për imigracionin, që përkrahet si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët, Senatori Marco Rubio iu përgjigj intervistuesit se, ai nuk po e bën gjithë këtë përpjekje për të reformuar sistemin e imigracionit në Amerikë, për qëllime politike. Ai  tha se: “Unë jam Senator. Unë nuk paguhem vetëm për të mbajtur fjalime. Unë paguhem për të zgjidhur problemet”, me të cilat përballohet vendi.

Siç duket, në një përpjekje për të zbutur kundërshtimin nga konservatorët, të cilët janë kundër një amnistie për imigrantët ilegalë, Senatori Rubio, tha gjithashtu, në një program tjetër televiziv (Fox Nevvs) se propozimet e reja për të reformuar  sistemin e imigracionit nuk janë amnisti, duke shtuar se në të vërtetë, propozimet e reja e bëjnë më të vështirë që një imigrant ilegal të fitojë statusin legal, në krahasim me procesin dhe ligjet ekzistuese.

Pritet që grupi i 8 senatorëve  demokratë  e republikanë, të cilët për disa muaj tani kanë punuar për arritjen e një marrëveshjeje për reformimin e sistemit të imigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të njoftojnë hollësitë e propozimeve të tyre të martën.  Media amerikane thotë se, propozimet e reja për reformimin e imigracionit përfshijnë edhe rritjen e numrit të imigrantëve që vijnë në këtë vend në mënyrë ligjore.  Tani, Shtetet e Bashkuara pranojnë 1 milion imigrantë në vit me dokumente, më shumë se çdo vend tjetër në botë.  Sipas propozimeve të reja, pritet që ky numër të rritet me pesë për qind, sipas gazetës “Los Anxheles Tajms”.

Pasi të njoftohen këtë javë  hollësitë e propozimeve të reja nga grupi i 8 senatorëve nga të dy partitë, mbetet për t’u parë nëse ata do të mund të bindin shumicën e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, si edhe grupe interesash të ndryshme, se pas shumë vitesh dhe propozimesh të shumta, më në fund ka ardhur koha për një reformë të gjithanshme të ligjeve amerikane mbi imigracionin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miratimi i ligjeve të reja është kritik, gjithashtu, edhe për fatin  e qindra, për të mos thënë mijëra shqiptarëve dhe familjeve të tyre që mund të gjenden në këtë vend pa dokumentet e nevojshme për një qëndrim legal në Shtetet e Bashkuara.