Frank SHKRELI/ Në kujtim të Xhevat Kallajxhiut njërit prej dekanëve të gazetarisë shqiptare 

223

Xhevat Kallajxhi, gazetari dhe autori shqiptaro-amerikan ndërroi jetë nëntorin e vitit 1989, në prag të ndryshimeve rrënjësore historike me shembjen e komunizmit ndërkombëtar anë e mbanë Europës Lindore e Qendrore dhe në Shqipërinë e tij të dashur.  Ai u largua nga kjo jetë 25 vjet më parë qetësisht, ashtu si edhe jetoi jetën-të pakën jetën gjatë të cilës e njoha unë.  Megjithëse, i pëlqente debati dhe kishte një njohuri të gjerë mbi subjekte të ndryshme, ashtu siç ndodhë me gazetarët e mirë, Xhevati nuk turbullonte as nuk grindej me askënd, madje, as me ata që nga ndonjëherë e kritikonin me pa të drejtë, përfshirë këtu edhe bashkëqytetarin e tij gjirokastrit, diktatorin Enver Hoxha, i cili në disa raste në kujtimet e tija kishte kritikuar Xhevatin si “njërin që pretendonte të ishte gazetar”.  Xhevat Kallajxhiu vdiq më 8 nëntor, 1989, në moshën 85-vjeçare, në një lagje të shtetit Maryland, afër Uashingtonit, kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara, ku kishte punuar për shumë vite pranë seksionit shqip të Zërit të Amerikës.  Ndonëse komuniteti shqiptar në Uashington ishte tepër i vogël në atë kohë, Xhevati u përcoll në atë jetë vetëm nga familja e tij e ngushtë dhe nga një grusht bashkatdhetarësh nga Gjirokastra, ku kishte lindur dhe nga zona të tjera të Shqipërisë, përfshirë edhe disa të ardhur rishtas në Amerikë- refugjatë politikë të arratisurish nga trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi.  Të pranishëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit Xhevatit ishin edhe miq amerikanë të familjes Kallajxhiu. Xhevat Kallajxhiu kishte punuar për shumë vite pranë seksionit shqip të Zërit të Amerikës, aty ku e kisha takuar për herë të parë në qershor të vitit 1974, kur unë fillova punën së pari në të njëjtën zyrë.  Gjatë disa viteve që punova me të, Xhevat Kallajxhiu, për mua, ishte një shkollë gazetarie.  Për më tepër, ai ishte ndër shqiptarët e pakët që kisha takuar e që besonte me mish e me shpirt në të drejtat e njeriut për çdo qenie njerëzore, për lirinë dhe demokracinë për çdo popull, por mbi të gjithë, për kombin shqiptar.  Ai ishte plot frymëzim për një ditë më të mirë për kombin shqiptar dhe për njerëzimin, ndonëse kishte edhe momente kur ankohej për vuajtjet e shqiptarëve kudo.

Si redaktor përgjegjës i gazetës “Dielli”, Xhevati si asnjë herë më parë, shumë shkrime të tija ia kishte kushtuar Kosovës dhe gjendjes së shqiptarëve nën ish-Jugosllavi dhe gjithashtu, i hapi faqet e gazetës edhe për të tjerët për të rrahur çështjen e Kosovës dhe të të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta.  Interesimin dhe dashurinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e pasqyroi me vepra dhe me fjalë gjithë jetën e tij, ashtu siç demonstroi edhe dashurinë e tij njëkohësisht edhe për Amerikën, ndërkohë që, promovonte me gjithë potencialin e tij miqësinë midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Ai ishte një gazetar dhe autor i denjë, i cili me ushtrimin e gazetarisë, ai jepte nder kësaj fushe, sidomos gazetarisë shqiptare.  Në krijimtarinë e tij krijuese, si në gazetari, ashtu edhe në prozë dhe deri diku edhe në poezi, megjithëse thoshte se nuk ishte poet – ndërkohë që, i kërkonte lexuesit që të “gjykonte vjershat e tij nën prizmën e ndjenjës” – Xhevati mbeti gjithmonë i lidhur me dhe pranë lexuesit shqiptar.  Si i tillë, gjatë shërbimit të tij në Zërin e Amerikës ose me shkrimet e tija të shumta me pseudonimet “Bardhi” dhe “Gjin Shpata” në gazetën “Shqiptari i Lirë” dhe në gazeta e revista të tjera, por sidomos  në periudhën që ai ishte Kryeredaktor i organit të Organizatës panshqiptare “Vatra”,  gazetës “Dielli”- Xhevati  e tregoi se ishte  jo vetëm pjesë e pandarë e Gjirokastrës dhe Shqipërisë që e lindi, por edhe i të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan.  Si shumë patriotë të gjeneratës së tij, Xhevat Kallajxhiu i ndiqte për së afërmi vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe shkruante shpesh për fatin e tyre. Ishte me të vërtetë i përkushtuar ndaj fatit të Kosovës.  Shumë artikuj dhe kryeartikuj kanë dalë nga dora e tij, numri, të cilëve ndoshta nuk do të dihet kurrë, mbi shumë subjekte, përfshirë Kosovën.  Në një kryeartikull në gjuhën anglisht, me rastin e 5-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Xhevati shkruante, se: “Ndërsa kujtojmë 5-vjetorin e demonstratave në Kosovë, ne jemi të bindur se shqiptarët anë mbanë botës do të kujtojnë me respekt të thellë të gjithë ata që dhanë jetën në demonstratat si edhe ata që tani po vuajnë në burgjet e Jugosllavisë për pjesëmarrjen e tyre në demonstrata. Të gjithë ata janë heronj të një kauze të drejtë, kauzë e cila herët ose vonë, do të triumfojë”, përfundonte kryeartikullin largpamës Xhevat Kallajxhiu të shkruar më 1986-n.

 Gjatë periudhës që ai punoi tek Zëri i Amerikës, Xhevati me kolegët e tij – në radhët e të cilëve ai gëzonte një respekt jashtëzakonisht të madh si koleg dhe si profesionist -gjatë luftës së ftohtë shërbeu si shembull i lirisë së shtypit dhe të debatit të lirë dhe megjithë rrethanat e vështira ata u përpoqën t’i jepnin dëgjuesve shqiptarë kudo – nëpërmjet radios me valë të shkurtra – një alternativë ndaj një shtypi që dominohej dhe kontrollohej plotësisht nga regjimi komunist në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare.  Kurrë nuk lodhej dhe nuk ankohej asnjëherë për punën e rëndë si rrjedhim i mungesës së stafit të kualifikuar.  I vetmi shqetësim i Xhevatit ishte se mos po e bënim gjithë atë punë kot sepse nuk kishim asnjë të dhënë nëse na dëgjonte njeri.  Shpeshherë duke u kthyer nga studio, Xhevati kthehej e më pyeste: “E mo Frank, e bëmë gjithë këtë punë, thua na dëgjoi njeri sot?”  Fatkeqësisht, ai si shumë të tjerë të brezit të tij, nuk pati fatin të ishte dëshmitar i fryteve të punës së tij prej dekadash për lirinë e popullit të vet dhe të përjetonte më në fund shembjen e komunizmit në Shqipërinë e tij të dashur dhe lirinë  e pavarësinë e Kosovës. Në shkrimet e tija, ai i kishte kushtuar një hapësirë të madhe kërkesave legjitime të shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi.  Por Xhevati mund të mbetet i kënaqur në atë jetë, se puna dhe mundi i tij tek Zëri i Amerikës nuk i kishte shkuar më kot.  Po të ishte gjallë, ai do të mësonte ashtu siç mësuam të gjithë pas rënies së regjimit komunist, se Zëri i tij dëgjohej -ndonëse fshehurazi- dhe se për një kohë të gjatë përbënte të vetmen alternativë ndaj shtypit të kontrolluar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

 Veprimtaria gazetareske e Xhevatit kishte filluar në rini në qytetin vendlindjes së tij në Gjirokastër. Fillimisht, më kujtohet të ketë përmendur bashkëpunimin e tij me gazetën Labëria, por nuk më kujtohet se në çfarë kapaciteti dhe për sa kohë ka punuar pranë kësaj gazete.  Por, ai fliste me krenari për punën e tij pranë gazetës “Demokratia”, e cila u botua nga viti 1925 deri më 1939 në Gjirokastër.  Përveç gazetarisë serioze, Xhevati merrej edhe me humor të cilin ai e kishte  shprehur në revistën “Pif-Paf”  në Shqipërinë e para luftës, por nga humori nuk hoqi dorë as në Amerikë, ku kishte botuar librezën humoristike “Për të Qeshur”. Pasi u largua nga Zëri i Amerikës, Xhevat Kallajxhiu shërbeu si kryeredaktor i gazetës “Dielli” për 10 vjet gjatë 1970-ve dhe 1980-ve, nën rrethana shumë të vështira për ‘të personalisht sepse jetonte afër Uashingtonit, ndërkohë që, kryeqendra e organizatës “Vatra” dhe e gazetës “Dielli” ishte në Boston.  Por, ky ishte përkushtimi moral dhe patriotik i Xhevatit, ndonëse në rrethana mjaft të vështira materiale dhe financiare për gazetën “Dielli”, në një kohë që ekzistonte rreziku të shuhej gazeta, Xhevat Kallajxhi ndonëse në moshë të shkuar, i del zot Diellit, i cili në kohërat më të vështira për Shqipërinë dhe për shqiptarët lëshoi rreze drite me shkrimet dhe artikujt e peshkop Fan Nolit, diplomatit Faik Konicës dhe shumë shkrimtarëve dhe gazetarëve të tjerë shqiptaro-amerikanë, ndoshta më pak të njohur se këta, por me mundësitë e veta edhe ata kontribuues ndaj kulturës dhe gazetarisë shqiptare në mërgim dhe më gjerë, të cilët Xhevati i inkurajonte të shkruanin dhe të bashkëpunonin me gazetën “Dielli”.

Me rastin e 25-vjetorit të vdekjes, Kryeredaktori i tanishëm i gazetës “Dielli”, Dalip Greca, si pasardhës i denjë i Xhevat Kallajxhiut dhe të tjerëve që kanë udhëhequr Diellin për më shumë se një shekull, iu përgjigj kërkesës time që të vlerësonte punën e Xhevatit si kryeredaktor i gazetës “Dielli”, si dhe përfshirjen e subjekteve që trajtonte Xhevati gjatë një dekade me shumë rëndësi për fatin e shqiptarëve: “Xhevat Kallajxhiu mbetet një ikonë e rrallë në gazetarinë e mërgimit”, tha z. Greca.  “Kontributi i tij prej një dekade në gazetën “Dielli”, është me vlera jo vetëm për kohën kur shkroi dhe editoi Diellin, por edhe për brezat në vazhdim. Ishte njohës i mirë i historisë botërore, veçanërisht asaj amerikane dhe shqiptare, çka pasqyrohen në artikujt e tij historikë.  Ai e orientoi “Diellin” drejt shqetësimeve reale të komunitetit, të “Vatrës” dhe Çështjes Shqiptare në tërësi”.  Dalip Greca, si njohës i mirë i shkrimeve të Xhevatit për gazetën “Dielli”, shtoi se, Kallajxhiu, “I dha hapësirë mbrojtjes të të drejtave të shqiptarëve në ish- Jugosllavi e në Shqipëri, denoncoi shkeljen e të drejtave njerëzore, shtroi me guxim probleme para komunitetit, evokoi historinë Kombëtare, evidentoi vlerat e “Vatrës” dhe të “Diellit”, shkroi e përcolli me shpirt e sy të përlotur bashkatdhetarët që ndërruan jetë.  Xhevati ka lënë pas gjurmët e një njeriu me shpirt njerëzor, të dashur, të respektuar. Flet pena e tij në rreshtat e “Diellit”, shtoi Dalipi.   Si njohës i mirë i kontributit dhe shkrimeve të Xhevat Kallajxhiut për gazetën “Dielli”, ku ruhet koleksioni i shumë shkrimeve të tija, z. Greca e vlerëson kështu rolin e Xhevatit si Kryeredaktor i “Diellit” për një dekadë:  “Ai ishte gazetari që të imponon edhe sot t’ia lexosh artikullin. Ishte mjeshtër për të thënë shumë gjëra në pak radhë. Nuk kërkonte fjalë bombastike; jo, fjalori i tij rridhte natyrshëm dhe kishte parasysh lexuesin e Diellit. I përshtatej. Stili i tij është i veçantë. Them se e kishte krijuar stilin e vet.  Përherë nisej nga faktet për të shtruar idetë.  Mendoj se editorialet e tij munddhe duhet të studiohen nga shkollat e gazetarisë në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e Shkup.  Xhevati tregonte kujdes që në përcaktimin e titullit, të shkrimit; edhe sot kur i shfletoj koleksionet e “Diellit”, harrohem me orë të tëra sepse më fusin në kurth titujt. Pasi shoh titullin provoj një thirrje të brendshme që ta filloj dhe s’mund të heq dorë pa i shkuar në fund. Ka qenë shumë prodhimtar. Nuk ka numër të “Diellit” për 10 vitet që e editoi Xhevati, që të mos gjesh editorialet e tij me emër.  Po përmend disa nga titujt e editorialeve të Xhevatit: “U mbars Mali dhe polli një mi”; “Hakmarrja-Një zakon i keq”; “Të njohim njëri-tjetrin”; “Fati i të burgosurve të Kosovës”, “Gjallëria e racës shqiptare”, “Arratisen nga “parajsa e Kuqe”, “Mirënjohje shqiptare për Amerikën”  e të tjera.

 Është e vërtetë se bazuar jo vetëm në shkrimet e tija gjatë një dekade që ai drejtoi “Diellin”, por edhe në biseda private e shoqërore -megjithëse ishte kulmi i luftës së ftohët dhe komunizmi dukej më i fortë se kurrë – Xhevati shihte tek e ardhmja me optimizëm për kombin shqiptar.   Në kryeartikujt e tij,   Xhevati shtroi problemin e bashkimit Kombëtar, si ndreqje e padrejtësive të Europës, që e kishte coptuar Kombin shqiptar, tha kryeredaktori i “Diellit”. Përveç kontributit të tij prej dekadash në fushën e gazetarisë me qindra artikujsh e kryeartikujsh të nënshkruar prej tij jo vetëm me emrin e tij të saktë, por edhe me pseudonimet “Bardhi” dhe “Gjin Shpata” -si njëri prej dekanëve të gazetarisë shqiptare -Xhevat Kallajxhi  është edhe autor i një numri librash e librezash  botuar këtu në Shtetet e Bashkuara, me prozë dhe poezi. Ndër ato që dallohen janë libri me poezi, “Tingëllimet e Zemrës”  dhe “Lot e Shpresa”, të cilin ai ua ka “kushtuar me nderim shokëve që kanë vdekur në mërgim”.  Disa nga vjershat, Xhevati ia ka kushtuar Kosovës siç janë poezitë “Kosova Martire”, “Kosova” dhe “Marshi i Djelmënisë Kosovare”.  Xhevati i këndon gjithashtu, “Çamërisë”, “Arbëreshëve të Italisë”, “Statujës së Lirisë” dhe vjershën kushtuar,  “Dom Ndre Zadesë”, patriotit të flakët, klerikut dhe shkrimtarit, siç e quan atë Xhevati, i cili ishte nga viktimat e para  që u pushkatua nga komunistët, pranverën e vitit 1945 në Shkodër.

 Duke qenë me mundësi të kufizuara financiare, vjershat patriotike kushtuar dëshmorëve dhe si edhe punimet e tjera të Xhevatit janë botuar me ndihmën bujare të bashkatdhetarëve të tij në Amerikë.  Kjo bëri të mundur që Xhevati të botonte disa libra shqip në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Linkolni, Xhon F. Kennedy, Për të Qeshur, Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë.  Thuhet se, Xhevati mund të ketë lënë edhe disa dorëshkrime pa botuar, siç është edhe romani “Larg Atdheut”.   

 Xhevati njihej, bashkëpunonte dhe vlerësohej pa dallim nga mbarë elita politike dhe kulturore e komunitetit shqiptaro-amerikan. Si rrallë të tjerë bashkëkohës të tij, të cilët shpesh tregonin paragjykime mbi arsyen – atë nuk e pengonin ndryshimet politike, krahinore ose fetare në punën e tij drejtë realizimit të qëllimeve të përbashkëta.   Një bashkëkohës i tij, ish-profesori i njohur shqiptaro-amerikan, i ndjeri Peter Prifti ka vlerësuar se, Xhevat Kalljaxhiun si gazetar, si njeri dhe si patriot duke thënë se, Xhevat kallajxhiu: “Në tërësi shkruante duke pasur gjithmonë respekt për faktet dhe duke patur përmbajtje prej dijetari. Nga temperamenti ishte idealist me simpati të thella humanitare për të shtypurit.  Në jetën e tij pati mjaft dhimbje e vuajtje, por fatkeqësitë i mbarti me shpirt të qetë dhe me sens humori”.  Duke vlerësuar Xhevat Kallajxhiun jo vetëm si njeri dhe si gazetar, por edhe si patriot, si demokrat dhe si besimtar i fortë në liri dhe demokraci, Profesor Prifti ka shkruar  se: “Kallajxhiu në radhë të parë ishte njeriu që tregonte vazhdimisht kujdes për kombin shqiptar. Në të njëjtën kohë, ai kishte ndjenja të forta simpatie dhe admirimi për Amerikën. Nga kjo anë, ai i ngjante shumë Fan Nolit, i cili gjithë jetën ia kushtoi mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar, duke punuar me përkushtim t’i sillte popullit shqiptar demokracinë uillsoniane”.  Peter Prifti vlerëson lartë edhe shpirtin demokratik të Xhevatit duke thënë se: “Kallajxhiu, po ashtu, ishte avokat i zjarrtë i parimeve dhe idealeve demokratike. Përkrahja e tij ndaj parimeve demokratike të jetës daton qysh nga Gjirokastra, ku ai botoi gazetën me titull “Demokratia”. Demokracia, liria, pavarësia dhe paqja – këto nuk  kanë qenë thjesht slogane për Kallajxhiun, por kushte vitale të domosdoshme për një shoqëri të drejtë e të mirëqeverisur”, përfundon vlerësimin e tij Profesor Peter Prifti.

 Xhevat Kallajxhiu ishte njeri i mirë e i ndershëm, atdhetar i patundur, e donte Shqipërinë me gjithë zemër, por donte edhe Amerikën që i kishte dhënë strehimin, lirinë dhe mundësinë për të ushtruar gazetarinë dhe për të shprehur lirisht mendimet dhe pikëpamjet e tija, të cilat tani janë bërë pjesë jo vetëm e thesarit të çmueshëm të gazetarisë dhe të kulturës shqiptaro-amerikane, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Një bashkëkohës dhe mik i Xhevatit, Nexhat Peshkëpia ishte shprehur se, i “hidhur është mërgimi dhe të hidhura janë rrugët e tija”. Edhe për Xhevatin, si edhe për shumë bashkëkombës të tij, që u detyruan të largoheshin nga Atdheu i tyre,  rrugët e mërgimit ku vdiq me mall për Atdheun, ishin vërtetë të hidhura, por megjithëkëtë,  ai ishte gjithmonë optimist se do të vinte dita e lirisë, shpresë që ai e kishte shprehur me vjershën:

 “Do të vijë dita”

                                Do të vijë më së fundi dit’ e madhe e çlirimit,

                                Do të shuhet skllavëria, do dërmohet trathëtija,

                                Do gjëmojë an’ e mbanë këng’ e ëmbël gëzimit,

                                Do të zhduket llahtarija, do t’ shpëtojë Shqipëria.

                                Dhe shqiponj’ e arratisur do të zërë vend’ e saj;

                                Do të ndizet sërish vatra, do të hiqet fut’ e zezë,

                                Do të marrë frymë biri, s’do të ketë lojë e vaj,

                                Do qindiset Shenj’ e Kombit veç me fjalë të lirisë.

                                Eh, zinxhir’ i tiranisë do të thyhet më në fund.

                                Mbaju, mbaju Mëma jonë, si që moti, gjith’ krenare

                                Edhe ti o bir i shqipes qëndro burrë mos u tund,

                                Se së shpejti do agojë dit’ e bukur shqipëtare!

                                 ——————————————————-

Me nderim, mirënjohje dhe me mall përkujtoj mësuesin dhe bashkëpunëtorin, njërin prej përfaqësuesve më të denjë të diasporës shqiptaro-amerikane dhe të intelektualizmit shqiptar në përgjithësi – Xhevat Kallajxhiun – me rastin e 25-vjetorit të ndarjes së tij nga kjo jetë.