Francezët përsëri në kutitë e votimit, në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare

519
Në fare pak muaj, qytetarëve të Francës u është dashur të votojnë në mënyrë të përsëritur, më së pari për të zgjedhur presidentin e tyre të ri, e më pas për t’i dhënë formë parlamentit të ri përmes zgjedhjes së ligjbërësve.
France 24 thotë se pritet që francezët t’i sigurojnë një shumicë dërrmuese në parlament presidentit Macron, për t’i mundësuar bërjen e reformave të thella ekonomike dhe shoqërore.
Një muaj më parë, në maj, Emmanuel Macron do të bëhej presidenti më i ri i Francës në historinë e saj moderne, e tani, në qershor, partia e tij, LREM-i, sugjerohet se do të fitojë 75-80 për qind të vendeve në dhomën e ulët të parlamentit.
Pjesëmarrja në votimet në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare, që tashmë kanë filluar në tërë Francën, mendohet se do të jetë e ulët, në nivele rekord.
Tre të katërtat e parlamentarëve ka gjasa, thotë France 24, të jenë rishtarë politikë, duke i ndryshuar pamjen parlamentit, të mbizotëruar në dekada nga konservatorët dhe socialistët.
Si grupi parlamentar më i madh opozitar në parlamentin e ardhshëm shihen se do të jenë republikanët konservatorë, me anketimet që thonë se ata mund të fitojnë jo më shumë se 90 gjer në 95 vende nga 577 të mundshmet.
Sa për socialistët, ata përballen me rrezikun e një humbjeje poshtëruese. Teksa deri një muaj më parë qeverisnin vendin, ata mund të përfundojnë me jo më tepğr se 25-35 vende.
Të hapura në tetë të mëngjesit, qendrat e votimit do të kenë dy orare mbylljeje, në 18:00 në qytetet e vogla dhe të mesme, e në 20:00 në qytetet e mëdha dhe, sigurisht, në Paris
Sigal