Francë: Inaugurimi i presidentit të ri Macron

21 të shtëna me top sot shënuan inaugurimin e presidentit të ri të Francës, Emmanuel Macron. 39-vjeçari Macron, i cili konkurroi me një platformë të qendrës së djathtë, fitoi zgjedhjet më 7 maj pas balotazhit përballë kandidates së ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Ai është presidenti më i ri në historinë e vendit dhe presidenti i 8-të i Republikës së Pestë të Francës, e krijuar në vitin 1958.

Presidenti i Këshillit Kushtetues, Laurent Fabius, shpalli rezultatin zyrtar të votimit në Francë në një ceremoni të zhvilluar sot në pallatin presidencial Elysee. Presidenti francez në ikje, François Hollande, u largua nga Pallati Elysee pasi Emmanuel Macron u përurua si presidenti më i ri në botë.

Zotërinjtë Macron dhe Hollande u takuan në zyrën e presidentit përpara largimit të Hollande, për të diskutuar çështjet më të ndjeshme me të cilat ballafaqohet Franca, duke përfshirë kodet bërthamore të vendit.

Emmanuel Macron merr përgjegjësinë për një komb që, kur Britania të largohet nga Bashkimi Evropian në vitin 2019, do të bëhet anëtari i vetëm i BE-së me armë bërthamore dhe një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Presidenti i ri francez tha se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të luftuar terrorizmin dhe autoritarizmin dhe për të zgjidhur krizën e migracionit në botë.

Zoti Macron, duke folur të dielën në fjalimin e tij të inaugurimit në pallatin presidencial Elysee në Paris, tha:

“Sot, zonja dhe zotërinj, ka ardhur koha që Franca ta tregojë veten. Përçarjet në shoqërinë tonë duhet të tejkalohen, pavarësisht se cilat janë çështjet – ekonomike, sociale, politike dhe etike –sepse bota pret që ne të jemi të fortë dhe largpamës. Misioni i Francës në botë është i rëndësishëm. Ne do të marrim përgjegjësinë për të ofruar, sa herë që është e nevojshme, një përgjigje të përshtatshme ndaj krizave të mëdha bashkëkohore – kriza e migracionit, sfida klimatike, abuzimi autoritar, ekstravagancën e kapitalizmit në botë dhe sigurisht, terrorizmi. Të gjithë jemi të ndërlidhur. Ne jemi të gjithë fqinjë. Franca gjithmonë do të sigurohet se është në anën e lirisë, e të drejtave të njeriut dhe gjithmonë do të punojë për ndërtimin e paqes afatgjatë. Ne kemi një rol të madh - për të korrigjuar çrregullimet e rrjedhës së botës dhe për të ruajtur lirinë. Kjo është thirrja jonë. Për ta bërë këtë, do të kemi nevojë për një Evropë më të efektshme, një Evropë më demokratike, një Evropë më Evropiane, sepse është instrumenti i fuqisë sonë dhe i sovranitetit tonë. Unë do të punoj për këtë”.

Pas inaugurimit të tij në Pallatin Elysee, presidenti i ri francez përshëndeti turmat e njerëzve përgjatë bulevardit Champs Elysee dhe pastaj u largua me autokolonë.