Francë – Debati presidencial, Marcon dhe Le Pen përplasen ashpër për fenë islame

58
Marine Le Pen dhe Emmanuel Macron, janë përplasur ashpër mbi çështjen e fesë myslimane në debatin presidencial me pjesëmarrjen e kandidatëve nga pesë forcat kryesore politike. Centristi Macron tha se Le Pen rrezikon të përçajë shoqërinë duke kthyer në armiq 4 milionë besimtarë myslimanë që jetojnë në Francë. Nga ana tjetër, Le Pen, bëri të ditura qëllimet për t’i dhënë fund emigracionit. Në hije qëndruan republikani François Fillo dhe socialisti Benoit Hamon,ku njëri vuan pasojat e skandaleve financiare, ndërkohë që i dyti duhet të mbajë mbi shpinë pakënaqësitë e qytetarëve për qeverisjen e Presidentit aktual, François Hollande.

Kandidatët e pesë partive kryesore franceze zhvilluan së fundmi një debat presidencial, në të cilin ra në sy përplasja mes dy kryesuesve të garës Marine Le Pen dhe Emmanuel Macron.

Liderja e Frontit Nacional përsëriti edhe njëherë mesazhet e saj kundër multikulturalizmit, teksa tha gjithashtu se ka ndërmend që t’i japë fund emigracionit.

Le Pen shtoi se ka ndërmend t’i rikthejë dinjitetin Francës duke mos u bërë vegla e kancelares Merkel.

“Dua t’i jap fund emigracionit. Kjo është e qartë. Unë i qëndroj plotësisht ligjëratës sime. Kur flas për emigracionin e kam fjalën për emigracionin e ligjshëm dhe atë të jashtëligjshëm. Dua të jem Presidente e republikës franceze, por sinqerisht nuk dua të qeveris atë që është kthyer tashmë në rajonin e harruar të Europës. Nuk do të bëhet asnjëherë zëvendës/kancelarja e zonjës Merkel”.

E mënjehershmë ishte kundërpërgjigjia e Macron, i cili theksoi se Le Pen po e përçan shoqërinë franceze.

“Kurthi në të cilin po na dërgoni ju zonja Le Pen, përmes provokimeve tuaja, është përçarja e shoqërisë. Po bëni armiq të republikës katër milionë burra dhe gra franceze të besimit mysliman. Megjithatë, më lejo të ta them qartësisht, unë nuk e dua diçka të tillë dhe nuk do t’a bëj diçka të tillë”.

Gjatë debatit u panë përpjekje të vakëta të kandidatit republikan, François Fillon, për të rifituar popullaritetin, por ekspertët gjykojnë se shanset e një rikthimi të mundshëm të tij në garë janë mjaft të pakta.

Në një pozitë akoma më të rënduar gjendet socialisti Benoit Hamon, i cili duhet të mbajë mbi shpinë pakënaqësitë e theksuara të qytetarëve për qeverisjen e Presidentit aktual të Francës, François Hollande.

Sondazhet e realizuara pas debatit treguan se ballafaqimi i pesë kandidatëve u fitua nga Emmanuel Macron.

Ky i fundit ëshët edhe favoriti për të qenë Presidenti i ardhshëm i Francës, gjithmonë duke ju referuar projeksioneve aktuale.