Forcat pro turke ekzekutojnë politikanen pro kurde dhe nëntë civilë në Siri

495
Sigal

Observatori i të Drejtave të Njeriut në Siri bën me dije se forcat ushtarake pro-turke kanë vrarë një politikane kurdë dhe nëntë civilë në një sulm të ndërmarrë.

Qytetarët u qëlluan për vdekje në një autostradë pasi u morën nga makinat e tyre nga militantë të mbështetur nga Turqit që kishin kaluar kufirin, ndërsa vazhdonin që të ecninnëpër Siri. Vrasjet janë filmuar nga telefona celularë amatorë dhe skenat e vrasjes kanë ngjallur frikën e ngjalljes së vrasjeve etnike, raporton Guardian.

“Nëntë civilët u ekzekutuan në momente të ndryshme në jug të qytetit Tel Abyad,” pohoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Një politikane kurde Hevrin Khalaf dhe shoferi i saj janë vrarë, raportojnë burime të vendngjarjes për mediat botërore.

Forcat Demokratike Siriane thanë përmes një deklarate se ajo është nxjerrë nga vetura gjatë një sulmi të përkrahur nga forcat turke dhe është ekzekutuar nga grupet mercenare të mbështetura nga Turqia. “Kjo është dëshmi e qartë se shteti turk po vazhdon politikën kriminale kundër civilëve të paarmatosur”, thuhet në deklaratë.

Khalaf ishte sekretare e përgjithshme e partisë “E Ardhmja e Sirisë”. Mutlu Civiroglu, njohës i politikës kurde, tha se vdekja e saj është një humbje e madhe. “Ajo kishte talent për diplomaci. Ajo gjithmonë merrte pjesë në takimet me amerikanët, francezët dhe delegacionet e huaja”, tha analisti. Turqia dhe aleatët e saj filluan të mërkurën ofensivën kundër njësiteve kurde, të cilat janë shtylla e Forcave Demokratike Siriane. Presidenti turk, Erdogan, ka thënë se dëshiron të krijojë një zonë të lirë në veri të Sirisë, ku do të mund të vendoseshin refugjatët që tashmë jetojnë në Turqi.