Fletëarresti serb ende në sistem Haradinaj ndalohet në Slloveni

458
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj është ndaluar në Slloveni në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006, i cili nuk ishte fshire nga sistemi. 
Haradinaj ka qenë duke u kthyer pas një vizite zyrtare në Berlin kur është ndaluar në aeroportin e Lubjanës. 
Haradinaj: Nuk jam arrestuar
Në një prononcim për Gazetën Express nga Sllovenia lideri i AALK-së tha se nuk është arrestuar dhe se do të vazhdojë rrugën për të mbërritur në Kosovë. Por, -sqaroi ai, autoritetet sllovene e ndaluan në sajë të fletë-arrestit të Serbisë i cili nuk ishte hequr nga sistemi.
“Nuk jam i arrestuar, por po merr kohë pastrimi i listës nga sistemi slloven”, – ka thënë Haradinaj.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka kaluar me humor këtë situatë, duke thënë për Express se e gjitha kjo i kushtoi humbjen e avionit.
Ditëve të fundit lideri i AAK-së, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës ka qëndruar për vizitë në Gjermani, ku është takuar me parlamentarë të këtij shteti.
Për ngjarjen reagoi edhe AAK.
“AAK kërkon veprim të menjëhershëm për lejimin e z. Haradinaj në udhëtimin e tij drejt Prishtinës, dhe e konsideron këtë ndalim tendencë të qëllimshme ndaj personalitetit dhe gjithë asaj që përfaqëson z. Haradinaj. Fletë-arrestet serbe, njollosjet dhe sulmet ndaj z. Haradinaj janë zhvleftësuar dhe dmeantuar disa herë dhe në forma te ndryshme”, – thuhet në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ramush Haradinaj është ish-kryeministri i Kosovës dhe udhëheqës i njohur i luftës për lirinë e Kosovës.
Sigal