Flakët shkrumbojnë mbi 670 kilometra katrorë dhe qindra shtëpi në Kaliforni

498
Zjarrfikësit vazhdojnë betejën me disa vatra zjarri që ndihmohen nga erëra të fuqishme në Kaliforninë jugore. Një valë e re zjarri u shfaq në veri të qytetit San Diego.
Gjatë pesë ditëve të fundit, qindra struktura, ndër to edhe resorte prej miliona dollarësh, janë shkatërruar ndërsa zjarrfikësit luftojnë flakët e ushqyera nga rrymat e ajrit. Rreth 210 mijë persona janë evakuar nga shtëpitë e tyre.
Erërat e fuqishme të Santa Anas ndihmojnë flakët që kanë shkrumbuar zona të gjera përgjatë bregdetit të Paqësorit, nga San Diego dhe deri në Santa Barbara, rreth 370 kilometra më në veri.
“Miqve të mi u them se është si një zonë lufte. Shtëpi të humbura dhe një shkatërrim tragjik i jetëve të familjeve që jetojnë në këto zona, si dhe të bukurive natyrore”, thotë Mike Deponce, zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve të qytetit Santa Barbara..
Mbi 8700 zjarrfikës, të ndihmuar nga helikopterë, po spërkasin me ujë dhe elementë kundër zjarrit zonat ku digjen gjashtë vatra të mëdha zjarri që nga dita e hënë.
Presidenti Donald Trump miratoi udhëzimet federale që u hapin rrugën agjensive federale për të ndihmuar në koordinim e këtyre përpjekjeve në shtetin e Kalifornisë.
Vatra e zjarrit më e madhe dhe më shkatërrimtare gjendet rreth 90 kilometra në veriperëndim të qytetit Los Anxhelos. Kjo vatër ka shkrumbuar rreth 580 kilometra katrorë dhe rreth 440 godina.
Vatra më e re, e cila u shfaq pranë San Diegos, gjendet rreth 200 kilometra në jug të Los Anxhelosit. Në vetëm pak orë, ky zjarr dogji rreth 16 kilometra katrorë në një zonë me popullsi të dendur dhe ferma të shumta. Zyrtarët thanë se 80 godina u shkatërruan menjëherë. 450 kuaj të zonës u lanë të lirë nga stallat që të mos bllokoheshin nga zjarret.
Zjarret nuk janë të pazakonta për Kaliforninë jugore në këtë periudhë të vitit, kur ende nuk kanë filluar reshjet e dimrit, bimësia është ende e thatë dhe e gjithë zona përfshihet nga erëra të forta. Ky vit ka qenë megjithatë veçanërisht i dëmshëm, për shkak të kushteve të motit të pazakontë për këtë stinë të vitit, me nxehtësi, thatësirë dhe me erëra të forta.
Sigal