Fjala e parë e Trump si president i SHBA

435
Sigal

Vetëm pak çaste pas rezultatit që e nxori fitues dhe President të SHBA-ve, Donald Trump, iu drejtua me një fjalë përshëndetëse gjithë votuesve, atyre që mbështetën dhe atyre që nuk e votuan.


“Faleminderit të gjithëve. Faleminderit të gjithëve. Sapo mora një telefonatë nga sekretarja Clinton. Ajo na uroi neve, për fitoren dhe unë e uroj atë për fushatën që bëri. Hillary Clinton ka punuar fort për një periudhë të gjatë dhe ne u jemi asaj mirënjohës për shërbimet ndaj vendit. Unë mendoj se tani është koha që sot të bashkohemi në një. Unë zotohem se do të jem president për të gjithë amerikanët. Ne tashmë do të punojmë bashkë për ta unifikuar këtë vend”- tha Trump.

Ai premtoi se të gjithë bashkë “ne do ta rindërtojmë këtë vend dhe ta rinovojmë Amerikën tonë. Burrat dhe gratë e harruar të këtij vendi, s’do jenë më të tillë. Do të rindërtojmë infrastrukturën e këtij vendi”.

Trump nuk harroi të falenderonte gjithë ata që i ndenjën pranë në këtë garë, duke nisur nga prindërit, vëllai, motrat, fëmijët dhe gjithë mbështetësit.

“Do të bëjmë një punë që ju do të jeni krenar për presidentin tuaj, unë e dua këtë vend”- e përfundoi fjalën e tij Trump.

Donald Trump, biznesmen miliarder, fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ai do të udhëheqë Shtëpinë e Bardhë në katër vjetët e ardhshëm. Kandidati republikan, Donald Trump, është zgjedhur presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.Trump, manjat i pasurive të patundshme, pa përvojë politike, ka mposhtur rivalen demokrate, Hillary Clinton.

Trump ka premtuar se do ta bëjë Amerikën “të madhe përsëri”, me krijimin e më shumë vendeve të punës dhe me uljen e taksave.