Firmoset marrëveshja Thaçi- Mustafa, në 12:00 në Parlament

436
Sigal

PRISHTINE – Ashtu siç ishte parashikuar, Hashim Thaçi i PDK-së dhe Isa Mustafa i LDK-së nënshkruan marrëveshjen për të bashkëqeverisur vendin në 4 vitet e ardhshme. Dy krerët e partive në koalicion theksuan se marrëveshja është në të mirë të vendit, duke përmendur edhe objektivat e qeverisë së re e cila gjithashtu sipas tyre, do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës. Me zyrtarizimin e marrëveshjes, i hapet rrugë krijimit të institucioneve të Kosovës. Prej ditësh, dy krerët e partive Mustafa e Thaçi janë marrë vesh edhe për postet e qeverisë së re. Ndërkaq, nuk ka mbetur as një orë kur pritet të nisë senaca konstituive e cila do të caktojë kryesinë e Kuvendit.

Pas konstituimit të Kuvendit pritet që të jetë një seancë e dytë urgjente ajo që do të zgjedhjë kryeministrin dhe qeverinë. Sipas procedurave Presidentja Atifete Jahjaga duhet ta thërrasë kryeministrin në detyrë Hashim Thaçi, për t’i kërkuar emrin e mandatarit të Qeverisë së re.
 
Sipas marrëveshjes, Isa Mustafa do të jetë kryeministër, ndërsa posti i kryeparlamentarit dhe ai i presidentit më 2016 do t’i takojnë PDK-së. Pritet që Thaçi të lërë mandatin e deputetit dhe të mbajë vetëm postin e kreut të PDK-së, deri në momentin e zgjedhjes së tij si President i Kosovës.

Kreu i PDK-së Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa i LDK-së u takuan gjatë së dielës për të finalizuar draft-marrëveshjen mes tyre si dhe ndarjen e ministrive e të personit që do të udhëheqë qeverinë e re të Kosovës, por në përfundim të takimit askush nuk ka folur për mediat.