Fillon raundi i parë i negociatave Britani – BE

503
Bashkimi Evropian dhe Britania kanë filluar raundin e parë të negociatave për ndarjen e tyre. Të dyja palët thonë se ka ardhur koha të lëvizet me shpejtësi në këtë drejtim.
Kryenegociatori i BE-së Michel Barnier mirëpriti homologun e tij britanik, David Davis, në zyrat qendrore të Komisionit Evropian në Berlaymont, për të filluar kështu një sesion katërditor për procedurat e ndarjes.
“Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëjmë progres, duke negociuar dhe identifikuar diferencat tona, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje bazuar në ngjashmëritë që kemi. Tani është koha t’i kthehemi punës dhe t’i nxjerrim me sukses këto negociata”, deklaroi negociatori britanik David Davis.
Negociatat e kësaj jave pritet të fokusohen tek të drejtat që do të kenë qytetarët e të dyja palëve pas ndarjes, tek fatura që do t’i duhet të paguajë Britania për të përmbushur angazhimet aktuale, tek çështja e kufirit në Irlandë, si dhe ruajtja e fuqisë së vendimeve të Gjykatës së Bashkimit Evropian.
Negociatori i BE-së premtoi se do të informojë mediat në përfundim të raundit të bisedimeve ditën e enjte.
Sigal