Fillon mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane, reagon Shtëpia e Bardhë

533
Në orët e para të ditës së sotme filloi mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane, pasi u bllokua në Senat projektligji për financimin e buxhetit. Autorizimi për shpenzime qeveritare skadoi në mesnatë, duke filluar kështu automatikisht ndalimin e të gjithave funksioneve jothelbësore qeveritare. Kjo shkaktoi debate të nxehta ndërmjet senatorëve, të cilët megjithatë mblidhen sërish sot për të diskutuar për mundësinë e një financimi të përkohshëm të buxhetit të qeverisë deri më 8 shkurt.
Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë pas dështimit të financimit të qeverisë, duke fajësuar senatorët demokratë për fillimin e mbylljes së qeverisë federale.
“Dua të rikthej në vëmendje të kolegëve të mi, deklaratën e sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, ku thuhet qartë se ‘nuk do të negociojmë për statusin e personave të paligjshëm në SHBA, ndërsa demokratët mbajnë peng shtetasit tanë të ligjshëm, me kërkesa të pamatura’. Kjo përfaqëson këndvështrimin e Shtëpisë së Bardhë për situatën. Dhe, ne sapo përjetuam këtu në Senat vendimin cinik të demokratëve për të lënë mënjanë miliona amerikanë, për hir të lojërave të tyre të papërgjegjshme politike”, deklaroi Senatori Mitch McConnell, udhëheqësi i shumicës në Senat.
Udhëheqësi i pakicës, Senatori demokrat Chuck Schumer, akuzoi Presidentin Donald Trump për hedhjen poshtë të një marrëveshjeje që ishte arritur për emigracionin dhe shpenzimet qeveritare.
“Sot në mëngjes, Presidenti Trump më ftoi në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar për këto çështje dhe unë pranova. Patëm një diskutim të gjatë dhe të konsiderueshëm. Në shkëmbim të pranimit të ruajtjes së programit DACA, unë ofrova të konsideronim edhe çështjen e murit kufitar. Por, as kjo nuk mjaftoi për ta bërë Presidentin që të arrijë një marrëveshje. Shumë demokratë nuk dëshirojnë të flitet për murin. Madje edhe shumë republikanë. Por, ishim të gatshëm të arrinim një kompromis me Presidentin”, tha Senatori demokrat Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës në Senat, shkruan voa.
Demokratët kërkojnë një votim të menjëhershëm në Kongres për një paketë reformimi të emigracionit, e cila do të mbronte nga deportimi qindra mijëra emigrantë pa dokumenta, të sjellë në SHBA kur ishin fëmijë.
Republikanët theksojnë se sidoqoftë, ata nuk do të përballen me rrezikun e deportimit deri në muajin mars, kur skadon programi DACA.
Sigal