Filipine, dy shpërthime me bomba në një kishë, 27 të vdekur

137

Ka shkuar në 27 të vdekur dhe 77 të plagosur bilanci i atentatit të ndodhur sot përpara një katedraleje në ishullin Jolo, në jug të Filipineve, gjatë Meshës së të dielës ka bërë me dije policia në një komunikatë për shtyp.

Viktimat janë 20 civilë dhe 7 ushtarë, dhe të plagosur 14 ushtarë, 2 policë dhe 61 civilë. Atentati vjen një javë pas referendumit që sanksionoi krijimin e një province autonome me shumicë myslimane në jug të vendit.

Dy shpërthimet ndodhën gjatë meshës së të dielës në katedrale. Bomba e parë shpërtheu në derën e godinës e ndjekur nga një tjetër në brendësi të kishës, pikërisht në momentin kur forcat e ushtrisë po i përgjigjeshin sulmit. Foto të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë trupat e viktimave mes gërmadhave në një rrugë tepër të populluar jashtë katedrales së ‘Zonja jonë e Monte Carmelo, shpesh herë pjesë e sulmeve edhe në të shkuarën. Të plagosurit janë transportuar me helikopter në afërsi të Zamboanga.

‘Kam urdhëruar trupat tona të rrisin nivelin e alarmit për të garantuar sigurinë në të gjithë vendet e kulteve dhe të ndërmarrin veprime parandaluese për të ndaluar çdo sulm të dhunshëm’, ka thënë ministri i Mbrojtjes Delfin Lorenzana në një deklaratë.