“Fatkeqësi biblike”, balta dhe uji “gjunjëzojnë” periferinë e Athinës, 16 të vdekur

477
Athina dhe Mandra, një zonë e populluar vetëm 27 kilometra larg kryeqytetit janë në emergjencë që prej mëngjesit të djeshëm.
Moti i keq dhe përmbytjet gati apokaliptike kanë lënë pas 16 të vdekur, 17 të tjerë u plagosën, ndërsa qindra shtëpi dhe dyqane u dëmtuan, siç shkrajnë sot mediat greke.
Viktimat janë pothuajse të gjithë të moshuar, që mbetën të bllokuar brenda banesave të tyre, kur uji i lumenjve vërshoi dhunshëm në rrugë e përmbyti mijëra shtëpi. Shumë lagje kanë mbetur pa ujë të pijshëm e energji elektrike, nëpër rrugë ka mbetur balta, pemët e shkulura dhe makinat e shkatërruara, ndërsa shërbimet e shpëtimit e kanë shumë të vështirë të arrijnë në zonat më të prekura.
“Rrugët tona janë shkatërruar plotësisht, rreth një mijë shtëpi janë përmbytur, gati një e treta e qytetit”, tha nënkryetari i komunës së Nea Peramos, Stavros Fotiou.
“Kemi humbur çdo gjë, është një fatkeqësi biblike”, u shpreh kryebashkiaku i Mandrës, Ioanna Kriekouki.
“Përmbytje patëm edhe në vitin 1999, por kjo i kalon përmasat e normales”, kujton kryebashkiaku i Megara, Grigoris Stamoulis.
“Vala e baltës erdhi si një cunami”, tha Evangelos Kolovetzos, një shitës me pakicë të cilit iu shkatërrua tërësisht dyqani që kishte në periferi të Athinës.
Sigal