Evropa ndërmjetëson mes Gruevskit e Zaev, takimi i parë pa marrëveshje

451
Eurodeputetët Riçard Hovit Ivo Vajgël, Eduard Kukan kanë publikuar një deklaratë të përbashkët rreth bisedimeve. Sipas deklaratës liderët e partive kanë pranuar të punojnë për një marrëveshje në interes të të gjithë qytetarëve të vendit dhe për të adresuar sfidat që dalin nga kriza në përputhje me standardet evropiane. Palët konfirmojnë angazhimin ndaj procesit të integrimit në BE dhe parimeve demokratike dhe ranë dakord për të vënë interesin e vendit në vend të parë.
“Anëtarët e Parlamentit Evropian dhe Komisioneri për zgjerim Johanes Hahn kanë mirëpritur diskutimet e sinqerta mbi çështjet kyçe. Të gjitha palët ranë dakord mbi rëndësinë e takimeve të vazhdueshme”, – theksohet në deklaratën e përbashkët.
Dy rivalët politikë kanë qëndrime tejet të kundërta për sa i përket zgjidhjes së krizës politike, që po zgjatë prej disa muajsh.
Zoran Zaev i opozitës ngulë këmbë për dorëheqjen e kryeministrit Gruevski dhe të qeverisë së tij, për t’i hapur rrugë një qeverie të përkohshme që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, Gruevski në këtë fazë, e ka kundërshtuar propozimin, duke thënë se gëzon mbështetjen dhe vullnetin e popullit dhe të votuesve.
Pas një jave, bisedimet do të vazhdojnë në Shkup, me përfshirjen edhe të dy përfaqësuesve politikë shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.
Kriza u thellua sidomos pas daljes në skenë të skandalit të përgjimeve, për të cilin opozita thotë se janë mbi njëzet mijë qytetarë të cilëve u janë përgjuar bisedat telefonike. 
Sigal