Sigal

Vala e të nxehtit që ka mbërthyer Evropën ka shkaktuar tre viktima në Spanjë. Temperaturat janë thuajse në nivel rekord, dhe do të vazhdojë të jetë mbi 40 gradë celsius të paktën deri këtë diel, si në Spanjë ashtu edhe në Portugali.

Lisbona parashikohet të jetë një prej qyteteve më të nxehta në botë gjatë kësaj fundjave.

Në jug të Portugalisë, qindra zjarrfikës kanë luftuar me flakët në një pyll në Algarve, një destinacion popullor turistik. Dy fshatra në zonën Monchique janë evakuuar.

Mbi 700 zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje, dhe 11 avionë me ujë janë përdorur për të luftuar flakët, teksa temperaturat parashikohet se do të shkojnë deri në 47 gradë celsius.

Ajri i nxehtë nga Afrika e Veriut ka shkaktuar të nxehtin më të fortë në Iberia që prej vitit 2003, një prej viteve që mbahet mend si më i ashpri sa i përket zjarreve në pyje.

Autoritet portugeze kanë qenë në alarm gjatë gjithë javës në përpjekje për të shmangur një përsëritje të mundshme të zjarreve të vitit të kaluar, ku 114 persona humbën jetën.

Në Francë, automjetet u rreshtuan në radhë në të ashtuquajturën “E shtuna e zezë”, dita me trafikun më të rënduar, teksa pushuesit nisin udhëtimet për në destinacione të ndryshme. Por, këtë vit shoqërohen me temperatura shumë të larta.

Spanja dhe Portugalia janë dy vendet që janë goditur më shumë nga i nxehti që ka përfshirë Evropën. Tre persona kanë humbur jetën në Spanjë, ndërsa në jug të Portugalisë qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët që kanë përfshirë pyllin në Algarve.