Evakuohet stafi i Trump, rrëshqet avioni në pistë

441
Sigal

Avioni me të cilin po udhëtonte kandidati republikan për zëvendëspresident, Mike Pence rrëshqiti në pistë të enjten mbrëma pas uljes në Aeroportin e LaGuardias në  Nju Jork. Nga zbritja problematike nuk pati të lënduar.

Pence dhe 30 pasagjerë të tjerë u evakuuan nga pjesa e pasme e avionit. Kur piloti po përpiqej të manovronte mjetin në tokë në kushtet e një moti me shi, njerëzit në bord kanë ndjerë deri dhe aromën e gomës që digjej nga fërkimi.

Pas incidentit, autoritetet vendosën mbylljen e përkohshme të aeroportit. Një zëdhënës i Pence tha se kandidati do të tërhiqej në hotelin e tij duke anuluar pjesëmarrjen në eventin e bamirësisë me dyer të mbyllura në “Trump Tower”. Vetë miliarderi u shpreh i lehtësuar që të gjithë personat e ndodhur në atë avion janë shëndoshë e mirë.

Në kohën e incidentit, Trump ishte në një tubim elektoral në Ohajo, ku tha se do të dëshironte t’i anulonte zgjedhjet dhe të shpallej direkt ai fituesi.

“Po mendoj me zë të lartë e them se duhet t’i anulojme votimet. Fitoren njerëzit t’ja japin Trumpit. Politikat e Hillary Clintonit janë shumë të këqija. Diferenca mes nesh është jashtëzakonisht e madhe”, u shpreh ai.

“New York Times” shkruan se në mesin e mbështetësve të manjatit  ka nisur të hedhë rrënjë frika se çfarë mund të ndodhë nëse të preferuarit të tyre do t’i mohohet Shtëpia e Bardhë. Disa druhen se ai do të harrohet, ndërsa të tjerë ndajnë bindjen se kombi mund t’i drejtohet një konflikti të dhunshëm.

Nëse do të ketë manipulim të zgjedhjeve, sipas këtij grupi, atëherë Amerika me gjasa do të gjendet përballë një tjetër lufte revolucionare. Njerëzit do të marshojnë nëpër kryeqytete, citon gazeta prestigjoze njërin prej simpatizantëve të Trumpit, Jared Halbrook. Ata do të bëjnë ç’të munden për ta mbajtur Hillaryn larg zyrës ovale, thotë 25-vjeçari, sepse ajo nuk e ka vendin aty.