Eurozona shënon rritje të lartë ekonomike

514
Pas vitesh stanjacioni dhe papunësie, vendet e Eurozonës duket se po e rimarrin veten. Rritja në bllokun e monedhës së përbashkët është më e lartë se në SHBA dhe Britani. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, politikanët evropianë shpresojnë që rritja ekonomike të frenojë populizmin anti-BE që e shtyu Britaninë drejt daljes nga Bashkimi Evropian.
Këtë pranverë, Franca ka një president të ri dhe Evropa ka shpejtuar ritmin e rritjes ekonomike. Rritja e Eurozonës ishte në nivelin 1.7% në tremujorin e parë të këtij viti, sufiçiti tregtar u dyfishua në muajin mars dhe papunësia ka rënë.
“Më në fund, Evropa po udhëheq rritjen, pjesërisht për shkak të lidhjeve me Kinën dhe kërkesës së lartë prej andej. Kemi njëkohësisht disa faktorë të brendshëm pozitivë: ka një përmirësim të kërkesës së brendshme, në veçanti për produktet e konsumit. Pra, rimëkëmbja është me bazë të gjerë dhe më e qëndrueshme se në të kaluarën”, thotë Lorenzo Codogno, i firmës “LC Macro Advisors”.
Po përmirësohen më shpejt ekonomitë e disa vendeve që vuajtën më shumë gjatë krizës së borxhit të vitit 2008. Portugalia shënoi rritjen më të lartë në 10 vjet, me 2.8%, e pasuar nga Spanja.
“Po shikojmë një rimëkëmbje me cikle, pasi më në fund Banka Qendrore Evropiane po vepron si një bankë e vërtetë qendrore nëpërmjet masave lehtësuese”, thotë John Springford, i Qendrës për Reformimin Evropian.
Megjithatë, jo gjithçka është mirë. Papunësia mbetet në nivelin e lartë prej 9.5%, megjithëse shumë më poshtë se gjatë periudhës së krizës. Ekonomia e Italisë mbetet në korsinë e ngadaltë, me vetëm 0.8% rritje vjetore.
“Po rritet shumë ngadalë. Bankat e saj ende nuk janë qartësuar dhe ka shumë instabilitet politik”, thotë zoti Springford.
Greqia i është rikthyer rënies. Grevat kanë paralizuar sistemin e transportit këtë javë, ndërsa qeveria planifikon shkurtime të mëtejshme të përfitimeve sociale në shkëmbim të një tjetër fondi shpëtimi nga BE-ja. Ministrat e financave të BE-së pritet të vendosin ditën e hënë.
Ekonomistët thonë se problemet strukturore të Eurozonës nuk janë zhdukur.
“Eurozona nuk mundet të mbijetojë pa reforma të mëtejshme thelbësore, pra më shumë integrim fiskal dhe në vazhdim edhe politik”, thotë zoti Codogno.
Rritjen ekonomike e errëson Brexit. Vendimi i Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian po ndëshkon ekonominë me ngadalësim të rritjes dhe me rënie të pagave.
“Do ta vuajë më shumë Mbretëria e Bashkuar pasi është ekonomi më e vogël. Pikëpyetja e madhe është nëse BE-ja dhe Britania do të arrijnë të negociojnë për një minimizim të pasojave ekonomike. Fillimi i negociatave ishte shumë i keq dhe me shumë hatërmbetje”, thotë zoti Springford.
Zoti Springford thotë se aksi franko-gjerman është rigjallëruar si forca drejtuese e Evropës. Por, muaji i mjaltit politik i Presidenti Macron mund të rezultojë i shkurtër, ndërsa sindikatat franceze po kundërshtojnë reformat që ai ka propozuar.
Sigal