Eurogrupi miraton këstin e ndihmës për Greqinë

51
Ministrat e Financave të Eurozonës, kanë dhënë dritën jeshile në samitin e të enjtes, në Bruksel, për të zhbllokuar këstin e radhës prej 8.5 miliardë euro, për Greqinë ,pas vleresimit pozitiv për programin e saj.

Athina nuk ka marrë masa konkrete për çështjen e lehtësimit të borxhit, përveç premtimit se masat për lehtësimin e tij, do të jetësohen në mbarim të programit të ndihmës, në vitin 2018, me kusht suksesin e zbatimit të reformave.

“Takimi ynë ka pasur në epiqendër Greqinë dhe ishte vendimtar për programin, ndaj unë ndjehem i kënaqur të njoftoj se ne kemi arritur një marrëveshje për të gjitha elementet dhe kushtëzimin e strategjisë së borxhit, për të ecur përpara”- tha Jeroen Dijsselbloem, president i Eurogrupit.

Në bazë të marrëveshjes me kreditorët, Greqia do të duhet të ketë teprica primare të shkallës 3.5%, deri në vitin 2022, ndërsa për vitet 2023-2060, kjo tepricë duhet të jetë nga 2% e lart.