Eurogrupi mblidhet sot për Greqinë, Tsipras: Arrihet marrëveshje nëse palët e duan atë

470
Ministrat e Financave të vendeve që përbëjnë Eurozonën do të takohen sot në një takim të ri emergjent në Bruksel pasi dje edhe pas nëntë orë debat nuk kanë arritur të bien dakord nëse do të mbështesin planin grek për një program të ri për të ndihmuar Greqinë. 
Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras ka deklaruar se sot mund të arrihet një marrëveshje nëse të gjitha palët do të bien dakord.
Përpjekja më e fundit e Greqisë për të shmangur daljen nga Eurozona dhe siguruar një program të ri shpëtimi trevjeçar ka marrë një goditje fatale mesnatën mes të shtunës dhe të dielës, pasi bisedimet u mbyllën pa asnjë marrëveshje.
Ndërkohë që pala greke kërkon hua të tjera për të siguruar mbijetesën në këmbim të reformave, Finlanda mësohet t’i ketë refuzuar ato, ndërsa Gjermania ka bërë thirrje që vendi të qendrojë për të paktën pesë vjet jashtë monedhës së përbashkët.
Eurogrupi do të mblidhet sërish sot, ndërsa pasdite rreth orws 16:00 do të nisë edhe samiti i krerëve të 19 shteteve pjesë të Eurozonës, për të vendosur fatin e Greqisë.
Shefi i Eurogrupit, Jerun Dajselblum, tha se bisedimet ishin të vështira, pasi ka ende një sërë çështjesh të rendësishme që nuk kanë gjetur ende zgjidhje, duke venitur kështu shpresat e qeverisë helene për një shpëtim të sekondës së fundit, pavarësisht vlerësimit pozitiv që ka marrë propozimi i saj nga Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët madje rekomanduan një fond shtesë prej 80 miliardë eurosh, rreth 30 më shumë se sa kishte kërkuar vetë Greqia.
“Ishin orë të vështira. Kemi diskutuar propozimet greke në thellësi, kemi dëgjuar të gjitha komentet nga institucionet, kemi dëgjuar komentet e shteteve anëtare. Ka një numër të madh çështjesh që kemi në tryezën e diskutimit ende të pazgjidhura. Ne do të vazhdojmë të dielën diskutimin. Kjo është e gjitha që unë mund të them për momentin “tha shefi i Eurogrupit.
Ndërkaq shefja e FMN-së, Lagarde dhe kreu i Bankës Qendrore Europiane Mario Dragi lanë takimin pa dhënë asnjë koment për mediat, ndërsa Komisioneri i Çështjeve Monetare dhe Ekonomike u mjaftua duke deklaruar se: “Ai gjithnjë ka shpresë” .
Në këtë pikë, të gjithë do t’i kenë sytë nga liderët europianë të cilët pritet të thonë pasdite fjalën e fundit.
Sipas mediave britanike, kancelarja gjermane, Angela Merkel, është nën presion të madh nga Shtetet e Bashkuara për të toleruar Greqinë, e cila ka mbështetje edhe nga Franca dhe Italia.
Sigal