Ermira BABAMUSTA/ Në Amerikë përkujtohet roli i shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve

701
Shqiptarët i pritën hebrenjtë si miq dhe jo refugjatë-ishte tema e ceremonive të veçanta zhvilluar në Sh. B. A. në përkujtim të shqiptarëve që shpëtuan hebrenj. Në shtetin Teksas të Sh. B. A.-së janë zhvilluar dy ceremoni përkujtimore në nderim të shqiptarëve që kanë shpëtuar hebrenj dhe viktimave te Holokaustit. Me 16 prill 2016, në kryesinë ‘Kryqi Kuq Mbrojtja Blu e Teksasit’, organizuar nga Komiteti i Diversitetit në Teksas, u zhvillua programi me titull “Upstanders Not Bystanders: Albania and the Holocaust” (Shpëtues dhe jo vëzhgues: Shqipëria dhe Holokausti).
Doc Vranici, Drejtori i Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas foli gjatë programit përkujtimor për heroizmin që treguan shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve nga persekutimi nazist. Shqipëria është i vetmi shtet në botë ku hebrenjtë janë shpëtuar njëqind për qind nga holokausti. “Shqiptarët kanë bërë diçka të jashtëzakonshme. Gjatë luftës së dytë botërore, populli shqiptar refuzoi t’ia dorëzojë hebrenjtë forcave okupatore. Duke iu referuar kodit të nderit shqiptar ‘Besës’ për të mbrojtur mikun edhe me jetën, shqiptarët mbrojtën hebrenjtë, dhe mijëra arritën të hyjnë në kufijtë shqiptare. Shqiptarët ishin shpëtues, jo vëzhgues. Shpëtues është ai që vepron kur shikon të tjerët që keqtrajtohen,” tha Earl Bills, drejtori i komitetit organizues të ceremonisë përkujtimore të Holokaustit.
Në një ceremoni tjetër dy ditore përkujtimore të viktimave të holokaustit u nderua sërish roli i shqiptarëve. Programi u zhvillua me 18-19 prill 2015 nga sinagoga Beth Torah në Teksas organizuar nga Ed Matisoff, Jeff Markoëitz, Earl Bills, Laura Matisoff, Steve Popik dhe Rabbi Elana Zelony. Gjatë ceremonisë u ndezën 11 qirinj në kujtim të 11 milion viktimave të holokaustit. Qiriu i njëmbëdhjetë u ndez “në nder të gjithë njerëzve shqiptar që shpëtuan hebrenjtë brenda kufijve” nga Doc Vranici dhe Beso Buranaj Hoxha. Të gjithë pjesëmarrësit thanë me një zë së bashku “Ne nuk do harrojmë” pas ndezjes të secilit qiri dhe simbolizmit të tij. “Holokausti edhe pas 70 viteve është shumë i vështirë për ta konceptuar. Vetëm brenda gjashtë viteve, Gjermania naziste me aleatë vranë gjatë miliona hebrenj. Përveç këtyre janë vrarë edhe gati pesë deri në gjashtë milion të tjerë që i përkasin kombësive dhe kulturave të tjera. Secili nga këta persona kishin një emër. Secili kishte një histori. Ne i nderojmë ato teksa mundohemi të kuptojmë humbjen, duke i lexuar emrat e tyre për 24 orë. Programi “Çdo person ka një emër” thekson urgjencën dhe rëndësinë e mbledhjes së historisë gojore të holokaustit para se gjenerata e të shpëtuarve të largohet nga jeta,” tha Ed Matisoff, drejtor i Programit “Leximi i Emrave” në sinagogën Beth Torah. Viti 2015 shënon 14 vjetorin e programit “Çdo person ka një emër” dhe deri tani janë lexuar mbi 75000 emra, gati 5000 emra në vit. Emrat lexohen për 24 orë, ku pjesëtarë të ndryshëm shqiptojnë emrat e viktimave. Në 2014 komuniteti shqiptar i Teksasit mori pjesë për herë të parë në këtë përkujtimore, nën drejtimin e Besmir Buranaj Hoxha. 
Duke vënë re pjesëmarrjen e jo-hebrejve Ed Matisoff tha, “ne nuk jemi vetëm”. Ndërsa Beso Buranaj Hoxha gjatë fjalimit deklaroi, “sa te ketë shqiptarë në këtë tokë, hebrenjtë do kenë mbrojte përherë”. “Disa nga emrat e viktimave të holokaustit nuk janë folur apo shqiptuar për 70 vjet. Shumicën e kohës, viktimat njiheshin vetëm nga numri, dhe disa kurrë nuk morën një memorial të duhur,” tha Ed Matisoff.
Me 19 prill 2015 u zhvillua një ekspozitë fotografike në kuadër të “Ditës së Kujtesës dhe Heroizmit” organizuar dhe prezantuar nga Besmir Buranaj Hoxha i organizatës “Rrënjët Shqiptare”, me hulumtues Gjergjian Gjeloshi dhe Pirro Bardha. Në këtë ekspozitë Besmir Buranaj Hoxha prezantoi histori shpëtimi nga Kosova dhe Shqipëria ku theksoi edhe historinë shpëtimit nga familja Beqir dhe Rabihane Babamusta (me fëmijët Qemal, Neki, Merushe dhe Bukurije), Ibrahim Babamusta dhe Qamil Babamusta (shoqëroi hebre nga Kavaja në Itali), familja Zylo (Zel, Dyl dhe Haxhi), familja Mehmet dhe Fitnete Babamusta (vajza Fatime). Mehmet Babamusta bashkë me vëllain e tij Isuf Babamusta dhe Mihal Lekatarin gjatë punës në Gjykatën e Kavajës kanë pajisur me pasaporta dhe identitet shqiptar qindra hebrenj (178 Arshiva Shtetërore, Tiranë). Ish Ministri i Financave Et’hem Cara dhe Ibrahim Babamusta koordinuar veprimet nga Tirana për gjetjen e strehimit të hebrenjve dhe transportimit të tyre nëpër qytete.
Neki Babamusta kujton një familje hebre, rrobaqepës, burrë grua dhe dy fëmijë. Ishte vetëm 8 vjeç kur prindërit e tij strehuan hebre në vitin 1943. “I dhamë besën hebrenjve dhe i pritëm si miq për t’i bërë të ndjehen si në shtëpinë e tyre,” tha profesor Neki Babamusta. “Edhe pse ushtarët e Gestapos na drejtuan armët ne fëmijëve gjatë kontrollit nazist, nëna ime nuk tregoi ku ishin fshehur hebrejtë.”
Haxhi Zyba sot 90 vjeç kujton familjen e strehuar te Rabihane dhe Beqir Babamusta. Dhe mban mend se në shtëpine e tij janë strehuar familjet e dy vëllezërve hebrej: Luiz, rrobaqepës, me grua dhe dy fëmijë (për të cilët ka deklaruar dhe Neki Babamusta në dëshminë dorëzuar Yad Vashem); dhe vëllai i Luiz, me emër David, marangoz, me grua dhe katër fëmijë. Haxhi kujton se si ndërtuan varkën dhe familja u çua në Bari të Italisë te miqtë Italian të Beqir Babamustës, me të cilën Beqiri bënte tregti në atë kohë. Haxhi Zyba tregon se familja e tij ka pasur korrespondencë me hebrejtë pas luftës, kur ato ishin kthyer në Izrael.
Fatime Babamusta, vajza e Dëshmorit të Kombit Mehmet Babamusta, mban mend se në shtëpinë e saj janë strehuar disa hebrej, babai hebre me emër David, grua, vajza 1-2 vjeçe Adela dhe motra e Davidit. Në një rast tjetër kujton një vajzë hebre, babi i së cilës ishte i strehuar në një familje tjetër në Kavajë. Familjet Babamusta dhe Zyba janë në kërkim të këtyre familjeve sot.
“Shqiptarët kanë treguar kurajo dhe humanizëm të jashtëzakonshëm kur strehuan hebrej në shtëpitë e tyre për t’i fshehur nga gjermnët, duke dhënë besën. Talmud na mëson se ai që shpëton një jetë njeriu kujtohet sikur ka shpëtuar botën. Në fakt, unë sot jam këtu, kam 4 fëmijë, 14 nipa dhe 16 stërnipa. Kjo nuk do kishte ndodhur nëse nuk më shpëtuan shqiptarët,” tha Johanna Neumann, hebre shpëtuar në Shqipëri gjatë luftës.
“Çdo vit kur përkujtojmë viktimat e holokaustit, mësoj diçka të re. Zakonisht i shtohet ndjenjave të mia të humbjes, por këtë vit mësova diçka që ishte si shkëndija në errësirë. Mësova që komuniteti shqiptar ka shpëtuar hebrej dhe kjo më lehtësoi që të kem më pak dhimbje në zemër,” tha Rabbi Elana Zelony e sinagogës “Beth Torah”.
Gjatë programit me 19 prill 2015 u shfaq filmi “Besa: Premtimi” drejtuar nga Rachel Goslins, edituar nga by Christine S. Romero, me personazhe kryesore historinë e shpëtimit të familjes të Rexhep Hoxha dhe fotografit të mirënjohur hebre-amerikanNorman H. Gershman. Pas shfaqjes së filmit, Doc Vranici i Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane dha fjalimin për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve dhe tolerancën fetare në Shqipëri. Beso Buranaj Hoxha i Rrënjëve shqiptare prezantoi ekspozitën me titull “Historia e Refugjatëve Hebrenj në Shqipëri” dhe mori pjesë në forumin e pyetje përgjigje.
Në Shqipëri janë shpëtuar mbi 3000 hebrenj dhe Shqipëria është i vetmi vend në botë ku në kufijtë e saj ka pasur më shumë hebrenj pas luftës (1945) sesa para fillimit të luftës së dytë botërore (1940). Kjo tregon se hebrenjtë gjetën strehë dhe vend të sigurt në mikpritjen dhe bujarinë e popullit shqiptar.
Sigal