Erdogan pret Sancarin, nobelistin e njohur të ADN-së

557
Profesori turk, Aziz Sancar, një prej tre laureatëve të çmimit Nobel për Kiminë 2015, u prit sot me shumë madhështi nga presidenti, Recep Tayyip Erdogan, pika kulmore e një turneu në vendin e tij, prej të cilit është larguar prej më shumë se 40 vjetësh. Turku i dytë që merr një çmim Nobel pas atij të dhënë për romancierin Orhan Pamuk në vitin 2006, Sancar, 69 vjeç, u takua për më shumë se një orë me Erdogan në pallatin luksoz dhe shumë të kundërshtuar në Ankara.

I shoqëruar nga bashkëshortja amerikane, Gwen, shkencëtari vizitoi më herët mazoleumin e ngritur në kujtim të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës turke moderne në vitin 1923, të cilit i dedikoi dhe çmimin. Çmimi i tij do të ekspozohet deri më 19 maj në këtë monument, ruajtja e të cilit i është besuar ushtrisë turke. “Vendi im më ka munguar vërtet”, theksoi Aziz Sancar për stacionin televiziv informativ, NTV pas takimit me Erdogan.

“Do të kisha dashur të rikthehem në vendin tim. Ndoshta nuk do të kisha fituar çmimin Nobel, por do t’i kisha shërbyer vendit tim dhe do t’u kisha mësuar njerëzve që mundeshin edhe ata ta fitonin këtë çmim”, shtoi ai. I lindur në vitin 1946 në një familje modeste prej tetë fëmijësh me origjinë nga fshati Savur, në juglindje me shumicë kurde, Sancar është diplomuar në fakultetin e mjekësisë në Stamboll. Ai u largua nga vendi i tij në vitin 1971 për në SHBA, ku filloi punimet për riparimin e ADN-së, kurorëzuar nga Nobeli.
Sigal