Erdogan, Presidenti i ri i Turqisë

466
Sigal

Turqia drejt një Republike Presidenciale. Kreu i shtetit turk ka mandat pesëvjeçar

Rexhep Taiip Erdogan është fitues i zgjedhjeve presidenciale në Turqi, me rreth 52% të votave. Në garën elektorale për postin e kreut të shtetit kandiduan edhe Ekmeledin Ihsanoglu, i cili mori 38% të votave dhe Selahatin Demirtas, politikan kurd dhe njëherësh udhëheqës i Partisë së krahut të majtë Popullor, i cili arriti të marrë rreth 10%. Erdogan, i cili foli menjëherë pas daljes së rezultateve paraprake, tha se populli arriti të tregojë vullnetin e tij. Ai dha një mesazh fitoreje, duke thënë se ai do të jetë një president për të gjithë. “Unë nuk do të jem vetëm  presidenti i atyre që votuan për mua, unë do të jem presidenti i 77 milion njerëzve, sot vullneti kombëtar fitoi edhe një herë, sot demokracia fitoi edhe një here. Ata që më konsiderojnë diktator, do t’u them të shikojnë veten e tyre. Ata që më thonë se jam autoritar, duhet të shikojnë më parë veten. Vullneti i kombit fitoi edhe një herë, fitoi demokracia.” Rezultati është pritur me ndjenja të përziera në gjirin e shoqërisë turke, mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të tij. Sigurisht, që fitorja në këto zgjedhje është hapi i parë i kthimit të Turqisë nga Republikë parlamentare në presidenciale, për të cilët Erdogan ka kohë që punon duke ndryshuar 2 herë kushtetutën në 2007 dhe 2010.

Por, për të arritur deri aty, partia e kryeministrit duhet të fitojë fillimisht zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një shumicë të nevojshme për të ndërhyrë përsëri në ligjin themelor, në mënyrë që të shtojë ndjeshëm kompetencat e kreut të shtetit. Ndërsa, në ditët në vijim, pritet që një emër i ri të zgjidhet formalisht në krye të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të krijuar dhe udhëhequr nga Erdogan që në 2001, si dhe të kandidohet edhe Kryeministri i ardhshëm. Ndërsa Ihsanoglu, kandidati i përbashkët për të dy partitë kryesore të opozitës uroi kundërshtarin e tij për fitoren. “Unë e përgëzoj zotin Kryeministër dhe i uroj atij suksese”,- tha Ihsanoglu. Erdogan bëhet Presidenti i parë i vendit i zgjedhur me votën e popullit, pas më shumë se një dekadë në postin e kryeministrit të vendit, kohë gjatë së cilës Turqia është shfaqur si një fuqi ekonomike rajonale, por që me mbështetjen e gjerë konservatore fetare, ajo po transformohet shumë nga republika laike e themeluar prej Mustafa Kemal Ataturk, në vitin 1923. Në këto zgjedhje ai arriti të marrë më shumë se 50% + 1 të votave, duke u shpallur që në këtë raund fitues.  Erdogan do ta marrë zyrtarisht detyrën në 28 gusht dhe do të udhëheqë Turqinë edhe për të paktën 5 vjet.