Erdogan: Do të gjenden alternativa për energjinë ruse

483
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja mund të gjejë alternativa ndaj blerjes së naftës dhe gazit rus, derisa raportet bilaterale janë përkeqësuar për shkak të rrëzimit të aeroplanit luftarak rus nga Turqia. Në një paraqitje televizive të mbrëmshme, zoti Erdogan tha se “është e mundshme të gjenden furnizues të tjerë”, duke iu referuar vendeve, siç janë Katari dhe Azerbajxhani. Këtë javë, Erdogani e ka vizituar Katarin, ku ai është pajtuar për një marrëveshje për gaz natyror në gjendje të lëngët.
Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, po ashtu, ishte në Azerbajxhan, ku raportohet se ka diskutuar për furnizim me energji. Raportohet se Turqia ka diskutuar për blerjen e gazit në gjendje të lëngët edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Algjerinë. Rrëzimi i aeroplanit luftarak të Rusisë nga ana e forcave ajrore të Turqisë, përgjatë kufirit me Sirinë, më 24 nëntor, i ka përkeqësuar raportet ndërmjet dy vendeve në nivelin më të ulët, që nuk është parë për një kohë të gjatë. Turqia ekstremisht është e varur nga burimet e jashtme për energji, pasi 91% të naftës dhe 98.5% të gazit natyral e merr nga jashtë. Pjesa më e madhe e këtyre furnizimeve deri tash ka ardhur nga Rusia.
Sigal