Erdogan ashpërson gjuhën me liderët e Europës: Nëse unë jam diktator ju të gjithë jeni nazistë

Presidenti turk, Erdogan ka vijuar akuzat ndaj liderëve të Bashkimit Evropian. Erdogan u shpreh se do vazhdojë t’i quajë ‘nazistë’ vendet dhe liderët evropiane përderisa ata e quajnë atë ‘diktator’.

“Ju mund të më thërrisni diktator, por unë nuk kam të drejtë t’ju quaj ju fashistë apo nazisitë?”,- ka thënë ai gjatë një interviste për CNN turk dhe Kanal D.

Ndër të tjera ai ka thënë se pas referendumit të 16 prillit Turqia do të rishikojë marrëdhëniet politike dhe administrative me vendet e Europës.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Evropës janë tensionuar, pasi Holanda dhe Gjermania anuluan disa tubime të ministrave turq, të cilët dëshironin të merrnin mbështetjen e diasporës turke për referendumin e 16 prillit. Erdogan në vazhdimësi ka akuzuar Berlinin për “praktika naziste”, ndërsa Holandën për “fashizëm”.

Sipas mediave ndërkombëtare, referendumi i 16 prillit pritet t’ia rrisë kompetencat presidentit Rexhep Tajip Erdogan.