Engel: Aktet e forcave opozitare po minojnë demokracinë e Kosovës

460
Aktet e forcave opozitare po minojnë demokracinë e Kosovës brenda dhe përkrahjen e saj nga jashtë. Kështu shprehet Eliot Engel, përfaqësues i Kongresit amerikan në Distriktin e Nju Jorkut në një shkrim të botuar në “Huffington Post” për situatën në Kosovë.
“Vitin e kaluar, Prishtina arriti një marrëveshje me Beogradin për veriun, zonat me shumicë serbe, si dhe me Malin e Zi mbi demarkacionin e kufirit, të cilat kanë ngjallur debat të gjerë dhe fushata të nxehta politike. Për fat të keq këto mosmarrëveshje kanë çuar në tejkalimin e kufijve të debatit të gjallë demokratik. Hedhja e vezëve ndaj ministrave, hedhja e gazit lotsjellës në Parlament, ose djegia e ndërtesës së Qeverisë, nuk përkojnë me lirinë e shprehjes. Ato nuk janë pjesë e të drejtave të garantuara kushtetuese të një opozite. Dhe, fatkeqësisht, këto gjeste po minojnë demokracinë e Kosovës brenda dhe përkrahjen e saj nga jashtë.”
Ndërtimi i demokracisë nuk është një punë e lehtë por forcat opozitare që e ushqejnë demokracinë duhet t’i shprehin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore.
“Askush nuk ka thënë ndonjëherë se ndërtimi i demokracisë është një punë e lehtë. Kjo ndodh për shkak se demokracia e vërtetë, jo vetëm që lejon, por kërkon respekt për njerëzit dhe partitë që nuk pajtohen me njëra-tjetrën. Të përfshirë në vlerat tona të përbashkëta demokratike, është e drejtë e opozitës për të luajtur një rol dhe të dëgjohet, qoftë në publik, qoftë në parlament, qoftë në gjykata ose, në fund të fundit, edhe në kutinë e votimit. Dhe, ata që ushqejnë demokracinë, duhet të ngrihen për të drejtat e oponentëve të tyre për të shprehur pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore dhe të presin që ato të dëgjohen.”
Engel nënvizon në shkrimin e tij se dëshmia në lëvizjen e Kosovës nga lufta në paqe dhe nga tirania në liri, ka qenë njëra nga aspektet më përmbushëse të karrierës së tij si shërbyes publik.
Sigal