Ende mister vendi, ku mund të mbahet takimi Trump-Kim Jong?

35
Mes shumë pyetjeve që shoqërojnë takimin e përfolur mes presidentit Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong un është edhe ajo se ku do të mbahet ai. Trump njihet si person që nuk i parapëlqen udhëtimet, ndërsa Kim është edhe më shumë shtëpiak, nisur nga fakti se nuk ka dalë nga vendi i tij që kur mori pushtetin e trashëguar nga i ati në vitin 2011.
Por nëse takimi ndodh, opsionet për mbajtjen e tij janë disa: Më e akredituara është ish-zona ushtarake mes dy Koreve, në fshatin Panmuniom. Atje ndodhet një dhomë e vogël konference ku janë mbajtur takime të nivelit të ulët e që është e aksesueshme nga të dyja anët e kufirit.
Kryeqyteti koreano-verior ka qenë më parë vendtakim i niveleve të lartë. Ish-presidentët Jimmy Carter dhe Bill Clinton kanë qenë atje në vitet 2000 dhe 2007.
Ishulli Jeju është një tjetër propozim. I ndodhur në jug të Gadishullit Korean, Jeju është një destinacion turistik i vogël e ku marrja e masave të sigurisë mund të rezultojë më e lehtë se në qytetet e mëdha. Edhe Uashingtoni mund të shërbejë si pikë takimi, edhe pse gjasat që Kim të udhëtojë atje janë inekzistente.
Sidoqoftë ishte pikërisht në kryeqytetin amerikan që marshalli Jo Myong rok ftoi në Korenë e Veriut presidentin Bill Clinton në vitin 2000.
Pika të tjera mund të jenë Kina, aleati i vetëm i Koresë së Veriut por që së fundmi kanë parë marrëdhëniet të ftohen; apo Gjeneva, qyteti i Zvicrës neutrale ku në vitin 1985 u takuan Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbaçov e ku Kim ka kryer studimet në fund të viteve ‘90. Nuk mungojnë edhe propozime si Moska, Stokholmi, apo kryeqyteti i Mongolisë, Ulan Bator.