“Emri i Maqedonisë”, Kryeministri grek bisedime me Kotzias dhe Kamenos

507
Për më shumë se dy orë ka zgjatur takimi i jashtëzakonshëm në Qeverinë e Athinës i thirrur nga kryeministri grek Aleksis Cipras për çështjen e pazgjidhur të emrit me Maqedoninë. Ministri i jashtëm grek Nikos Kocias dhe kreu i Partisë “Grekët e Pavarur” Panos Kamenos, që është pjesë e koalicionit qeverisës dolën me qëndrimet e tyre të vjetra. Kocias foli me tone optimiste duke theksuar se është e domosdoshme zgjidhje “erga omnes” për emrin, ndërsa Panos tha se nuk pajtohej që termi Maqedoni të jetë pjesë e emrit të ri, por tha se ka besim në shefin e diplomacisë greke Kocias dhe konsideron se zgjidhja kombëtare për këtë çështje është e domosdoshme. Kocias ndërkohë u shpreh se 2018-ta do të jetë viti në të cilin do të zgjidhen çështjet e hapura në politikën e jashtme.
“Për çështjen e emrit, Qeveria siç kam theksuar në vazhdimësi mbështet dhe negocion për emër që do të jetë për përdorim të gjithanshëm, qëndrim të cilin Greqia e prezantoi edhe në Bukuresht. Ne jemi për atë që të ketë pajtueshmëri nga të gjitha partitë në vend- deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.
I pyetur nëse ishte optimist për një zgjidhje të shpejtë, Kocias u përgjigj se ai çdoherë është optimist. Panos Kamenos, ndërkohë mbetet në qëndrimin e tij se akoma është në fuqi vendimi i takimit të liderëve në vitin 1992.
“Ekzistojnë dy vendime të rëndësishme për çështjen e Shkupit. Njëri është vendimi i liderëve të partive politike me presidentin Konstantinos Karamanlis, ndërsa vendimi tjetër është ai i Bukureshtit. Konsideroj se bisedimet duhet të vazhdojnë, kam besim në Ministrin e Jashtëm- deklaroi Panos Kamenos, Partia “Grekët e Pavarur”, njofton Alsa M.
Në analizat e para të mediave greke menjëherë pas takimit, është theksuar se edhe përkundër deklaratave kokëforta të liderit të Grekëve të Pavarur, vërehet një zbutje në retorikën e tij. Duke u nisur nga ky fakt mediat greke paralajmërojnë se në rast se të gjitha partitë pajtohen me marrëveshjen eventuale midis Maqedonisë dhe Greqisë, atëherë as Kamenos nuk do të kundërshtojë. Takimi në Athinë vjen vetëm pak ditë pas sinjaleve pozitive të kryeministrit grek Cipras dhe atij të Maqedonisë Zaev. Cipras ndër të tjera paralajmëroi zgjidhje të mundshme të mosmarrëveshjeve me Shkupin brenda këtij viti, por Athina zyrtare ka kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë hapa konkret në drejtim të shmangies së irredentizmit, duke nisur nga ndërrimi i emrit të aeroportit të Shkupit dhe emrit të disa rrugëve.
Sigal