Emigrantët në kufirin greko-maqedonas në grevë urie, bllokojnë hekurudhën

69
Situata është komplikuar së tepërmi në kufirin greko-maqedonas teksa emigrantët kanë nisur një grevë urie që prej 6 ditësh. Ata kanë bllokuar edhe linjën hekurudhore që lidh dy vendet, duke kërkuar prej autoriteteve që të lejojnë kalimin e tyre drejt Europës perëndimore. Një gjë e tillë ka ardhur si pasojë e vendimit të shteteve ballkanike mbi mbylljen e kufinjve për refugjatët që kërkojnë azil për arsye ekonomike. Deri më tani, në këtë pikë kufitare kanë kaluar vetëm emigrantët që vijnë nga vendet e luftës ku përfshihen ata sirianë, afganë dhe irakianë. Përfaqësuesja e Agjensisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, Alexandra Kraus, thotë se autoritetet po i këshillojnë azilkërkuesit që të braktisin grevën e urisë.

“Nuk ka asnjë mënyrë që ne t’i detyrojmë emigrantët të hanë, por sigurisht që i kemi këshilluar që të mos përfshihen në grevë urie. Më duhet të them se pavarësisht udhëzimeve tona, cdo gjë varet prej vullnetit të tyre.” Refugjatët ndodhen aktualisht në kushte të vështira atmosferike, pasi temperaturat janë ulur ndjeshëm. Ata kanë filluar të refuzojnë edhe veshjet që shpërndahen nga autoritetet. Protestat e tyre kanë qënë nga më të ndryshmet. Disa prej azilkërkuesve kanë qepur gojën e tyre me fije prej neiloni. Të mbledhur në grup, ata bërtasin “Hapni Kufinjtë”, duke apeluar në drejtim të Bashkimit Europian.