Emigrantët humbin durimin, kalojnë në këmbë kufirin Greqi-Maqedoni

594
Mijëra emigrantë, mes të cilëve gra dhe fëmijë kanë vendosur të kalojnë në këmbë kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, pasi kanë pritur për ditë më radhë në pika të ndryshme karburanti, si pasojë e masave të ndërmarra nga qeveria greke për të kontrolluar fluksin e refugjatëve. Emigrantët të cilët janë bllokuar në qytetin e Polikastros në Veri të Greqisë kanë nisur rrugëtimin e tyre në këmbë në segmentin prej 14 km që ndan qytetin nga pika kufitare me Maqedoninë. ” Kemi qëndruar në këtë pikë karburanti për 4 apo 5 ditë. Jemi pa gjumë dhe nuk kemi as mundësinë të pastrohemi. Shpenzojmë për ushqim dhe kaq, për këtë arsye kemi vendosur të ecim në këmbë drejt Maqedonisë “- u shpreh një refugjat nga Siria
Në grupin e personave që po lëvizin në drejtim të kufirit maqedonas ka edhe njerëz me probleme fizike të cilët edhe pse me shumë vështirësi kanë vendosur mos të qëndrojnë më në pikat e karburanteve në pritje që autobuzëve tu jepet urdhëri për të rifilluar udhëtimin.
Radhët e emigrantëve në kufi u shtuan ndjeshëm në momentin kur qeveria maqedonase vendosi të forconte masat kontrolluese, dhe aktualisht mbi 5 mijë emigrantë ndodhen në pritje për të kaluar nga Greqia në Maqedoni, ndërsa pritet që tashmë të mbërrijnë edhe mijëra të tjerë në këmbë.
” Na thonë që prisni se shumë shpejt do të përmirësohet situata, cdo ditë është i njëjti kaos, jemi lodhur duke pritur ” – deklaroi një tjetër refugjat.
Megjithëse pikat kufitare në Maqedoni u rihapën të enjten, u lejuan të kalonin vetëm 160 emigrantë, ç’ka ka bërë që fluksi i tyre në Greqi të shtohet edhe më shumë.
Sigal