Egjipti synon të kthejë turistët tek piramidat – Strategjia që solli rimëkëmbjen e turizmit

150
Për herë të parë që nga kryengritjet e “pranverës arabe”, numri i turistëve që vizitojnë Egjiptin në vitin 2017 mund t’u afrohet niveleve të para revolucionit të 2011-ës.
Për të stimuluar rritjen, qeveria ka ofruar subvencione dhe ka reduktuar taksat për linjat ajrore dhe tur operatorët në mënyrë që të sjellin më shumë turistë në vend.
Një vëmendje e madhe i është kushtuar edhe reformës në siguri, duke shpenzuar miliona dollarë në përmirësimin e sigurisë në aeroporte.
Zyrtarët kanë publicizuar gjithashtu vizita të rëndësisë së lartë, si ajo e kancelares gjermane Angela Merkel dhe ylli të Hollywood-it Will Smith tek piramidat, si një mënyrë për të nxitur sektorin e turizmit.
Egjipti ndërmori edhe një fushatë drejtuar vizitorëve nga vendet e gjirit arabik, të quajtur “uahashtouna”, ose “na keni munguar” në arabisht. Pikërisht këta vizitorë kanë rritur rezervimet në hotelet e destinacioneve kryesore si Kairo, Sharm El Sheikh, apo Aleksandria.
Megjithatë, para se sektori i turizmit të mund të rimëkëmbet tërësisht, ai do të vazhdojë të rëndojë mbi njerëzit që varen drejtpërdrejt nga ai. Këtu përfshihen pronarë hotelesh të vogla, guida turistike, shoferë dhe pronarë dyqanesh suvenirësh, të cilët përfitojnë të gjithë nga turmat e turistëve.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe pronarët e kuajve apo deveve që ofrojnë xhiro drejt piramidave; një veprimtari që e kanë kryer prej brezash. Pakësimi i turisëve ka forcuar konkurrencën midis tyre, ndërsa tarifat apo bashkishet që mbledhin nuk mjaftojnë për të paguar faturat apo për të kursyer.
“Do të duhet një kohë e gjatë para se të rregullohet gjithçka, por ne jemi në pritje”, thotë Abdullahi, i cili ka një karrocë me kuaj për të tërhequr turistët drejt Sfinksit.