Edhe Tetova nën frikën e tensioneve Banorët: Ka shumë forca policie

517
Ngjarjet e dy ditëve të fundit në Kumanovë mund të përsëriten edhe në Tetovë. Kjo është frika e shprehur nga banorët e fshatrave të malësisë së Tetovës sipas portalit online “Lajm”.
Në vendbanimet e tyre ata konfirmojnë prezencë të shtuar të forcave të policisë dhe helikopterë qe fluturojnë sipër shtëpive të fshatit.
Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski, nuk e ka pohuar plotësisht lajmin por nga ana tjetër nuk e ka mohuar duke u bërë thirrje popullatës që të ruajnë qetësinë. 
“Edhe po të kishte ndonjë aksion, sigurisht se nuk mund të themi asgjë pa përfundimin e tij. Mirëpo banorët nuk duhet të frikohen nga prezenca e policisë, sepse policia është atje që t’i mbrojë. Ata janë shtetas të Maqedonisë dhe policia do jetë pranë tyre”, tha Kotevski për “Lajm”. 
Policia ende nuk ka publikuar informacione zyrtare për përqendrim të ndonjë grupi të armatosur në atë zonë por nga ana tjetër nuk ka një motiv të fortë për terrorin e heshtur qe po kryhet ndaj popullsisë së asaj zone që banohet kryesisht nga shqiptarë. 
Sigal