Edhe pas takimit me Kim Jong,Trump autorizon sanksione ndaj Koresë së Veriut

465
Sigal

Edhe pse shtrëngoi duart me Kim Jong Un në samitin historik të 12 qershorit në Singapor, dhe vetëm pak ditë pasi pohoi se programi bërthamor i vendit komunist nuk përbën më rrezik, Donald Trump ka dalë me deklaratën se Koreja e Veriut vazhdon të mbetet një kërcënim madhor për Shtetet e Bashkuara.

Në urdhrin ekzekutiv të firmosur të premten, presidenti amerikan e zgjati me një vit të ashtuquajturën “emergjencë kombëtare”, të lidhur me kombin e armëve atomike, çka autorizon sërish sanksione ekonomike kundër tij.

Përpara 9 ditësh ishte vetë Trumpi ai që shkruante në Twitter: nuk ka më asnjë kërcënim nuklear nga Koreja e Veriut. Kjo e fundit nga ana tjetër i ka ulur shumë tonet armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara.

Posterat e saj të propagandës ku Amerika tregohej si një agresor brutal imperialist janë zëvendësuar me mesazhe për progres ekonomik dhe përafrim ndërkorean.

Ndryshimi i kursit shihet qartë edhe në titujt e gazetave. Emergjenca kombëtare në Amerikë është në fuqi që prej 2008-ës si shenjë e tensioneve të vazhdueshme mes dy vendeve që duhet ende të negociojnë kushtet sipas të cilave shteti komunist duhet të heqë dorë nga arsenali i tij atomik dhe të përfitojë lehtësimin e sanksioneve.